Filmi me protagonist kryesor Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocionesh të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, tashmë një takim të radhës publiku i gjerë e ka pasur në premierën e filmit në kinema të martën.
Një radhë e gjatë priste të shijonte filmin më të kërkuar të momentit.
Regjisori Koloreto Cukali tha se ky ishte një kast ëndrrash. Duke nisur nga aktorët profesionistë e deri tek personazhet publikë më në zë të momentit.
“Jam shumë i lumtur që kam punuar me gjigantë të kinemasë si Cimi dhe Luani. Gjithashtu me ikona të teatrit dhe filmit si Zamira, Olta Gixhari e Olta Daku. Jo më pak të rëndësishëm janë aktorët e rinj ose që e kanë për herë të parë, si Dea, Sara dhe Luizi”, tha Cukali.
Historia e një çifti të martuar prej vitesh që vendosin t’i japin fund lidhjes së tyre pa kuptuar implikimet e familjeve të tyre në këtë ndarje. Vendimi për t’u ndarë do i bëjë ata të njohin kufijtë e njërit-tjetrit dhe të njerëzve të tyre të dashur në situata plot humor dhe dashuri. Sepse kur dashuria është akoma aty, asgjë nuk është e pamundur. Stafi i madh prej profesionistësh ka punuar fort që të sjellin më të mirën tek publiku.
“Një tjetër falënderim shkon për drejtuesen e Top Channel, Lori Hoxha. Dhe një falënderim për atë që e kam si një zgjatim timin drejtorin e fotografisë, Rezart Gurashi”, shtoi regjisori.
“Shikojeni dhe cila skenë ju pëlqen mund ta shpërndani që ta kuptojmë dhe ne”, tha aktorja protagoniste Olta Gixhari.
Filmi, një komedi romantike, prodhim i Top Channel Film, do të jetë për publikun përgjatë Tetorit në kinema, dhe nuk duhet humbur!
Top Channel