Mbrëmjen e djeshme u mbajt premiera e madhe e “Në Kuadër të Dashurisë”. Ky film aq i shumëpritur nga publiku dhe aq i komentuar përgjatë muajve të fundit u shfaq për herë të parë në Pallatin e Kongreseve.
“Në Kuadër të Dashurisë” përmban një kast të mahnitshëm aktorësh dhe personazhesh shumë të dashur për audiencën e gjerë të cilët parakaluan edhe në tapetin e kuq. Aktori i njohur Ndriçim Xhepa në një intervistë ekskluzive ka treguar më shumë për ndjesitë e tij për këtë film.
Si është të punosh me aktorë të rinj apo aktorë që e kanë për herë të parë?
Nuk është rasti i parë që bie në sheshxhirim me aktorë të një brezi më të ri, por unë them që siç është jeta me të gjitha kategoritë e moshave, edhe dramaturgjia filmike apo skenike në teatër, i ka të gjitha kategoritë. Rëndësi ka që në ekipin që përbën të gjithë strukturën aktoriale të një filmi, të kemi të bëjmë me aktorë cilësorë dhe të aftë. Të aftë ka 50, 60, apo 70-vjeçarë, por ka dhe 20, 25-vjeçarë.
Ti ke një përvojë me mbi 40 filma, çfarë ndjesie ke se si do të dali ky film?
Tek unë sigurisht mund të hyjë në punë dhe përvoja, por krijohet ai imazhi se sa mund të shkojë niveli artistik i një vepre që në skenar. Dhe pastaj kur kalon procesi kryesor i strukturës së filmit, sheshi i xhirimi, ti sheh dhe se çfarë bashkëpunëtorësh ke. Duke filluar nga regjisori dhe dyshja Koloreto Cukali dhe Rez Gurashi, për mua ka shumë rëndësi dhe pyes gjithmonë se kush është drejtori i fotografisë. Më ka bërë përshtypje ky çift bashkëpunëtorësh, me një lloj pune tepër qytetare, tepër të kornizuar, të saktë, me një edukatë në marrëdhënie me aktorët. Më ka lënë mbresa shumë të mira kjo dyshe. Dhe pastaj aspekti i rolit dytësor që kam në këtë film, sepse dyshja kryesore dihet që është Olta me Luizin. Por me të gjithë kolegët që përbëjnë atë mozaikun e personazheve, kemi pasur një atmosferë shumë të mirë në qytetin e Korçës, një qytet që të lejon të rrish mirë, të punosh mirë, të kesh një atmosferë vërtetë profesionale.
Top Channel