Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën tërhoqi paralele midis sulmeve të Hamasit ndaj izraelitëve dhe sulmeve ruse ndaj ukrainasve, duke i quajtur ato “po aq të liga”.
“Dhe vetë izraelitët, gazetarët izraelitë që ishin me ne, në Ukrainë, që ishin në Buça, tani thonë se panë të njëjtën të keqe që erdhi nga Rusia. E njëjta e keqe. Ekziston vetëm një ndryshim. Izraelin e goditi një organizatë terroriste, ndërsa Ukraina u godit nga një shtet terrorist”, u tha Presidenti Zelenskyy pjesëmarrësve në një takim të NATO-s, në të cilin ai mori pjesë përmes një video lidhje.
“Qëllimet e deklaruara janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë. Mund shihni gjak në rrugë, makina të dëmtuara të civilëve, trupa të njerëzve të torturuar”, tha udhëheqësi ukrainas.
Fushata e dezinformimit
Shërbimi ukrainas i zbulimit akuzoi të hënën shërbimet ruse të zbulimet për kryerjen e një fushate diskreditimi ndaj Kievit.
“Shteti agresor i Rusisë po përdor sulmin terrorist të Hamasit ndaj shtetit të Izraelit për një provokim në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Shërbimi i zbulimit i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes raporton se shërbimi ushtarak rus i zbulimit tashmë ka transferuar armë të prodhuara në SHBA dhe vendet e BE-së, të kapura në Ukrainë, tek terroristët e Hamasit”, thuhet në një deklaratë, të publikuar në faqen e shërbimit ukrainas të zbulimit në Facebook.
Rusia nuk ka sinjalizuar se po mbështet një palë të caktuar në konflikt dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të heqin dorë nga dhuna dhe të negociojnë. Por udhëheqësit e Hamasit thuhet se kanë udhëtuar në Moskë disa herë në vitet e fundit dhe Moska dhe Teherani janë aleatë të tyre strategjikë.
Në një intervistë me shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, përfaqësuesi i shërbimit ukrainas të zbulimit tha se ata kishin informacion se agjentët rusë kanë marrë pajisje të kapur në Ukrainë dhe kanë filluar t’ua dorëzojnë ato përfaqësuesve të Hamasit, për të krijuar përshtypjen se zyrtarët ukrainas u kanë shitur atyre armët.
“Ne kemi informacione se disa nga armët e kapura në Ukrainë tashmë Rusia i ka transferuar tek terroristët e Hamasit, në kuadër të një operacioni për ta akuzuar më vonë Ukrainën për këtë.”
Yusov paralajmëroi se do të ketë më shumë akuza të rreme se militantët e Hamasit dyshohet se po luftojnë ushtrinë izraelite me armë nga Ukraina.
Rusia shpreson që sulmet e Hamasit në Izrael do largojnë vëmendjen nga lufta në Ukrainë
Instituti Amerikan për Studimin e Luftës shkroi në një raport më 7 tetor se Kremlini po përdor, dhe ka të ngjarë të vazhdojë të përdorë, sulmet e Hamasit në Izrael për të nxitur fushata informacioni që synojnë dobësimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit për Ukrainën.
“Kremlini ka intensifikuar disa operacione informacioni që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor, shpesh duke akuzuar Perëndimin për neglizhencë ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme dhe favorizim të mbështetjes së Ukrainës. Kremlini shpreson se komuniteti ndërkombëtar do të heqë vëmendjen nga Ukraina për t’u përqendruar në Lindjen e Mesme”, thonë analistët e ISW.
Raporti citon një propagandues rus të ketë thënë se Rusia do të përfitonte nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve sepse kjo “do ta largonte përkohësisht vëmendjen nga Ukraina, duke e kthyer atë tek konflikti i përjetshëm në Lindjen e Mesme”. /VOA
Top Channel