Studentët e mjekësisë e kanë zhvendosur protestën e tyre këtë të hënë përpara Ministrisë së Arsimit.
Ata janë grumbulluar pranë Fakultetit të Mjekësisë si fillim e më pas kanë marshuar përgjatë rrugës së Dibrës, për t’u ndalur përpara ministrisë ku kërkojnë takim me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu. Studentët thonë se nuk ka asnjë kompromis për t’u tërhequr nga kauza e tyre.
Studentët kanë djegur në mënyrë figurative disa kontrata pasi ajo zyrtare ende nuk është nënshkruar me Universitetin, pasi nuk janë miratuar kostot.
“Ne do të rrezikojmë me vitin akademik. Nuk tërhiqemi”, shprehet një studente.
Protestës i janë bashkuar edhe studentët e vitit të parë.
“Edhe për ne është shkelje të drejtës tonë”, thonë ata.
Në fund të protestës studentët kanë depozituar kërkesat e tyre pranë Ministrisë së Arsimit.
“Ne po paraqesim kërkesat tona me shkrim por do të jetë tragjike vërtetë nëse nuk marrim përgjigje”, thonë studentët.
Studentët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës.
“S’kisha në plan të ikja, s’kam në plan të kthehem”; “Si mund të kurojnë duart e prangosura”; “Ikëm se menduam se nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi ne”; “Ne e mbyllim godinën dhe nuk ju pyesim fare – studentët e mjekësisë 2023”, këto ishin disa nga shumë pankartat që studentët mbanin në duar.
Top Channel