Qeveritë në mbarë botën, duke përfshirë edhe SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë, kanë dënuar sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se i dënonte ashpër “sulmet terroriste” dhe shprehu solidaritet ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz u shpreh i tronditur nga sulmet dhe tha se Gjermania qëndron në krah të Izraelit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga “sulmet e pamëshirshme”.
“Sulmi ishte terrorizëm në formën e tij më të neveritshme dhe se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të tilla të neveritshme”- tha Von der Leyen.
Edhe Britania e Madhe i dënoi sulmet, me kryeministrin Rishi Sunak që u shpreh i tronditur nga zhvillimet e mëngjesit.
“Jam i tronditur nga sulmet e këtij mëngjesi nga terroristët e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë. Izraeli ka të drejtën absolute për të mbrojtur veten. Ne jemi në kontakt me autoritetet izraelite dhe shtetasit britanikë në Izrael duhet të ndjekin këshillat e udhëtimit”- tha Sunak.
Ndërsa, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly shtoi: “Mbretëria e Bashkuar dënon pa mëdyshje sulmet e tmerrshme të Hamasit ndaj civilëve izraelitë. MB do të mbështesë gjithmonë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.” Ai e konsideroi lëvizjen palestineze si “terroristë” dhe “jo luftëtarë apo militantë”, ndërsa lideri laburist Sir Keir Starmer “i dënoi plotësisht” sulmet si “një akt terrori”.
Presidenti i SHBA Joe Biden është informuar gjithashtu mbi zhvillimet kaotike në Gaza. Biden konfirmoi se mbështetja e administratës së tij për Izraelin është “e fortë dhe e palëkundur”. Amerikanët do të “ndjekin nga afër situatën”, shtoi ai.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili ka qenë në luftë me Rusinë që nga shkurti 2022, u shpreh se “e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje nuk mund të vihet në dyshim”. Po ashtu, Zelensky u shprehu ngushëllimet “të gjitha familjeve, të afërmit e të cilëve humbën jetën në sulmin terrorist të Hamasit”.
Ndërkohë, Irani ka shprehur mbështetje për sulmin palestinez, raportoi një nga agjencitë lokale të lajmeve ISNA.
“Ne i përgëzojmë luftëtarët palestinezë,” citoi komandanti ushtarak iranian Rahim Safavi, i cili shtoi: “Ne do të qëndrojmë pranë luftëtarëve palestinezë deri në çlirimin e Palestinës dhe Jeruzalemit”.
Autoritetet izraelite pretendojnë se 2,500 raketa të Hamasit goditën Tel Avivin, Ashkelon, Yavne dhe Kfar Aviv mëngjesin e sotëm duke vrarë, rreth 200 persona dhe plagosur 1,610 të tjerë. Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Gaza nuk dha detaje të zonës se ku kanë ndodhur vdekjet dhe nëse vdekjet përfshinin militantë të Hamasit apo civilë në Gaza.
Ndërkaq, komandanti ushtarak i grupit Mohammad Deif deklaroi se ata kishin lëshuar 5,000 raketa. Në referencë të zhvillimeve të tensionuara, gjeneralmajor Ghassan Alian, tha se Hamasi kishte “hapur dyert e ferrit” me sulmin e tij të befasishëm.
“Dua të them një gjë, Hamasi ka hapur portat e ferrit në Rripin e Gazës. Hamasi e mori vendimin dhe Hamasi do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë për veprat e tij”. Retorika luftarake e Alian u bëri jehonë komenteve të mëparshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se vendi do të “kthejë zjarrin në përmasat që armiku nuk e ka njohur”. Sipas Netanyahut, “armiku do të paguajë një çmim të paparë”.
Top Channel