198 palestinezë të vrarë dhe 1,610 të plagosur/ Gjeneralmajori i ushtrisë së Izraelit: Hamasi ka hapur dyert e ferrit

07/10/2023 16:19

Të paktën 198 palestinezë u vranë në Gaza të shtunën, me 1,610 të plagosur, raporton Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Gaza. 

Ministria nuk dha detaje të zonës se ku kanë ndodhur vdekjet dhe nëse vdekjet përfshinin militantë të Hamasit apo civilë në Gaza.

Vdekjet vijnë pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kryen sulme në përgjigje të një breshërie raketash nga Hamasi në Izrael dhe një inkursioni nga luftëtarët e Hamasit që la të paktën 40 njerëz të vdekur në Izrael dhe afro 800 të plagosur, raporton CNN.

Zyrtari i lartë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, i ngarkuar me aktivitetet në territoret palestineze, gjeneralmajor Ghassan Alian, tha se Hamasi kishte “hapur dyert e ferrit” me sulmin e tij të befasishëm.

“Dua të them një gjë, Hamasi ka hapur portat e ferrit në Rripin e Gazës. Hamasi e mori vendimin dhe Hamasi do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë për veprat e tij”. Retorika luftarake e Alian u bëri jehonë komenteve të mëparshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se vendi do të “kthejë zjarrin në përmasat që armiku nuk e ka njohur”. Ai shtoi se “armiku do të paguajë një çmim të paparë”.

IDF tha më parë se Hamasi do të “përballet me pasojat dhe përgjegjësinë për këto ngjarje”.

 

Top Channel