“350 lekë copa”! 15-vjeçari përfundon në spital pas konsumimit të tullumbaces me azot/ Vihen në pranga tre persona në Fier

07/10/2023 09:33

Një 15-vjeçar ka përfunduar në spital, pas konsumimit të një tullumbaceje me azot në Fier.

Dyshohet se ai e kishte blerë tullumbacen me lëndën e dëmshme në një lokal.

Gjatë megaoperacionit “Tempulli” ranë në pranga tre persona të cilët reklamonin lojëra me kompjuterë, për fëmijë dhe adoleshentë, në katin e parë të lokalit të cilin e kishin përshtatur për përdorim droge dhe për shitjen e tullumbaceve me azot. Policia gjithashtu bllokoi ambientin e përshtatur për këto veprimtari kriminale.

Një bombol me 50 litra azot, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, një mjet grirës për të, 250 tollumbace që shërbenin për t’i mbushur me Azot dhe sende të tjera të jashtëligjshme u sekuestruan.

Kujtojmë se katër ditë më parë, Policia e Fierit vuri në pranga dy persona që shitnin lëndë narkotike, në afërsi të shkollave.

Në kuadër të megaoperacionit të koduar “Tempulli”, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. X., 60 vjeç dhe R. X., 27 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. L., 24 vjeç, banues në Fier.

Shtetasi R. X. kishte përshtatur katin e parë të lokalit për përdorim droge, dhe në bashkëpunim me shtetasit G. X dhe E. L., ata i shisnin adoleshentëve, nxënësve të shkollave 9-vjeçare, tullumbace me gaz azot), dhe si pasojë e konsumimit të tyre, një 15-vjeçar ka shkuar në spitalin rajonal të Fierit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky ambient i cili u bllokua nga Policia, reklamohej nga të arrestuarit, si vend ku fëmijët/adoleshentët luanin lojëra me kompjuterë.

Gjatë kontrolleve, këta 3 shtetas u kapën duke konsumuar lëndë narkotike cannabis sativa, në prezencë të klientëve të tjerë, në dhoma të përshtatura për këtë qëllim, në katin e parë të lokalitl.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një bombul me 50 litra azot, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, një mjet grirës për të, 250 tollumbace që shërbenin për t’i mbushur me Azot, 4 celularë, një pajisje elektronike për mbushjen e tollumbaceve me gaz dhe një pajisje për konsumimin e lëndës narkotike në formë tymi.

Këta shtetas dyshohet se prej disa muajsh, iu kanë shitur adoleshentëve, tollumbace me lëndë të rrezikshme për shëndetin e tyre (Azot), kundrejt vlerës 350 lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA