Kultivonin bimë narkotike, shpallen në kërkim dy vëllezër në Shkodër! Asgjësohet kanabisi

06/10/2023 16:32

Dy vëllezër janë vënë në kërkim nga Policia e Shkodrës pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike dhe të posedimit të armës së zjarrit.

Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Shkodrës kanë siguruar informacion se 2 shtetas kishin kultivuar bimë narkotike, në pronën që kishin në fshatin Vuksanaj.

Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetasve dhe në zonën përreth, Policia ka gjetur një miniparcelë në afërsi të banesës, 70 bimë narkotike kanabis sativa në proces tharjeje, ndërsa në ambientet e banesës, u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe 17 fishekë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u shpallën në kërkim 2 vëllezërit, pronarë të banesës, shtetasit T. M., 29 vjeç dhe F. M., 27 vjeç, të dy banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe. Policia vijon punën për lokalizimin dhe për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel