Në Marikaj të Vorës është zbuluar një “shtëpi bari”.

Policia e Shtetit ka ndarë pamjet e operacionit të bastisjes së saj, ndërsa sqaron se ishte përshtatur ambienti i brendshëm i një magazine me llamba për kultivimin e kanabisit në kushte laboratorike,

Në ambiente të ndara shihen edhe kanabisi i kultivuar si edhe fidanët që janë në proces rritjeje.

Për ngjarjen është shpallur në kërkim autori i kultivimit të bimëve narkotike si dhe po hetohet bashkëshortja e tij, ndërsa një punonjës i OSHEE, Lulzim Sheteli, është arrestuar për shpërdorim detyre.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 1035 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe 907 fidanë narkotikë kanabis të kultivuar në kubikë, ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Autori i kultivimit të kanabisit, që është shpallur në kërkim nga policia kishte një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, përmes së cilës furnizonte pajisjet e ndryshme për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë, gruaja e tij edhe pse ishte në dijeni, nuk kishte bërë kallëzim dhe është vënë në hetim për veprën penale “moskallëzim krimi”.

Sa i përket punonjësit të OSHEE, Lulzim Shetelit, është arrestuar pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë.

Top Channel