Një shofer 53 vjeçar në Skoci ka dëshmuar së fundmi sesi makina e tij e re elektrike nisi të drejtonte veten pas një defekti katastrofik që pësoi, duke e detyruar atë të telefononte emergjencën e më pas të përplasej me furgonin e policisë për të ndaluar.
Shoferi tregonte sesi ishte marrë peng nga makina e tij 30,000 paundëshe MG ZS EV që nuk ndalonte në asnjë semafor të kuq derisa u përplas qëllimisht me automjetin e policisë.
Brian Morrison, thotë se po kthehej nga puna mbrëmjen e të dielës kur makina e tij nisi të drejtonte veten e saj me rreth 50 km në orë.
Duke qenë i paaftë të përdorte frenat për të ndaluar, burri nga Glasgow që ka një biznes të tijin, thërriti policinë dhe arriti të ndalonte vetëm duke u përplasur lehtë me furgonin e tyre, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale te automjetet.
Kjo nuk është hera e parë që automjetet elektrike bëhen shkak për incidente sigurie. Shqetësimet kryesore janë ngritur për zjarre në bateritë e tyre me litium-ion, të cilat nuk mund të shuhen nga mjete të zakonshme zjarrfikëse.
Bateria e shkëputur nga një automjet MG ZS EV, u identifikua muajin që shkoi si shkaku i një zjarri në Australi.
Ndërsa më 24 shtator një shtëpi në Merseyside në veriperëndim të Anglisë mori zjarr kur makina e tyre elektrike shpërtheu e parkuar para shtëpisë.
E përditshmja Daily Mail shkruan se shoferët e makinave hasin vështirësi në pika karikimi jashtë qyteteve dhe policia është thirrur shpesh për të shuar konflikte mes tyre në pikat e karburanteve dhe karikimit.
Kompania kryesore e shërbimeve të autostradave në Britani thotë radhët e gjata për pika karikimi ‘i stresojnë e nervozojnë shoferët’.
Por megjithatë kryeministri Rishi Sunak thotë se nuk heq dorë nga plani i tij për të eliminuar makinat me djegie deri në vitin 2030.
Shoferi i incidentit të fundit, Morrison tregonte: “E pashë që diçka nuk shkonte kur dola nga një rreth-rrotullim dhe tentova të ngadalësoj por mjeti nuk përgjigjej. Pastaj dëgjova një zhurmë gërryese që duket se vinte nga frenat. Dola nga rrotullimi me rreth 50 km në orë dhe kisha një rrugë të drejtë përpara. Mendova se do të ndalonte vetë por ajo nuk e kishte fare ndërmend”.
“Unë vetë kam probleme me lëvizjen dhe nuk mund të hidhesha nga makina, isha i bllokuar brenda”.
Morrison kishte telefonuar gruan e tij duke i kërkuar të vinte për të lajmëruar makinat e tjera që nuk mund të ndalonte.
“Kur telefonova policinë ata thanë se do të dërgonin inxhinierë dhe më pyetën nëse ishte makinë vetë-drejtuese”.
“Rrjedhimisht policia mbërriti dhe ata po ecnin paralel me mua duke më pyetur për situatën. Fillimisht me kërkuan t’ua hedh çelësin e makinës në dritaren e furgonit, por kjo nuk e ndaloi motorin”.
Oficerët i kishin sugjeruar mënyra të tjera për të fikur makinën por asnjë nga ato nuk funksiononte.
Rrjedhimisht ata i këshilluan Morrison te ecte nga prapa furgonit të tyre duke u përplasur bute për të ngadalësuar gradualisht shpejtësinë.
Morrison shtonte: kur makina ndaloi, i gjithë kroskoti i saj u ndez me drita defektesh, ndërsa një sinjal i madh i kuq thoshte “kujdes, ndalo menjëherë drejtimin e makinës”.
Megjithë faturat aktuale më të lira të karikimit, rritja e kostove të makinave elektrike po i bën ato të ngashme me çmimet e mbajtjes së një makine me benzinë, shkruan Daily Mail.
Ken McMeikan, kreu i shërbimeve britanike të autostradave Moto, tha se kishte trazira në rritje prej pikave të pakta të karikimit në autostrada, ku shoferët duhet të prisnin gjatë dhe kjo çonte shpesh në konfrontime me stafin apo me njëri-tjetrin. /DailyMail/
Top Channel