Sulmi me bombë në Ankara, dhjetëra persona në pranga! Do kalojnë filtrat e drejtësisë

03/10/2023 12:38

Policia i ka ndaluar të paktën 67 persona vetëm këtë të martë në Turqi, pas një aksioni për të gjetur dhe vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët ose organizatorët e sulmit të rëndë me bombë përpara ndërtesave shtetërore.

Personat e dyshuar që u vunë në pranga janë në shënjestër të autoriteteve të Ankarasë, pasi dyshohet se janë të lidhur me militantët kurdë.

Aksioni është duke u kryer disa ditë pas sulmit vetëvrasës në Ankara, teksa dy persona mbërritën me një makinë përpara ndërtesës së Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit, e më pas njëri prej tyre hodhi veten në erë me një bombë, ndërsa terroristi tjetri u vra më pas nga policia.

Shpërthim që vuri në alarm autoritetet turke, të cilët sipas njoftimit të Ministrit të Brendshëm turk Ali Yerlikaya, thuhet se policia ka kryer bastisje në 16 provinca të Turqisë, duke arrestuar 55 persona që dyshohet se kanë qenë pjesë e një strukture të inteligjencës të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila njëkohësisht pretendon se është përgjegjëse për sulmin.

Ndërsa të paktën 12 të dyshuar tjerë si pjesëtarë të PKK-së janë arrestuar në një operacion të ndarë në pesë province.

Aksioni hetimor është përqëndruar në pjesëtarët e Partisë Popullore të Kurdistanit pasi ai ka kryer kryengritje prej disa dekadash në Turqi dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Top Channel