Tarifat e reja të shërbimit Roaming në Ballkanin Perëndimor kanë hyrë zyrtarisht në fuqi.
Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB Roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më ekonomik.
Në shumë raste, kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë pak, deri në 1.6 euro për 1 GB.
Por kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri do të duhet që paraprakisht të kenë marrëveshje me operatorët e telekomunikacionit të BE-së për tarifat e reja.
Kujtojmë se në samitin e BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt më 6 dhjetor 2022 në Tiranë operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dolën në një deklaratë të përbashkët, e cila do të bënte të mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas.
Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shkruan se prej sot do të flasim më lirë me Bashkimin Evropian. Ajo thotë se qytetarët e vendit tonë do të përfitojnë ulje deri në 95%.
“Është koha që premtuam se do të flasim më lirë me Evropën. Ose më lirshëm dhe kur çmimet e telefonatave tona në Roaming Bashkimi Evropian(BE) -Ballkani Perëndimor(BP) do të fillonin të binin, bashkë me gjethet e vjeshtës. Prej sot, flasim më lirë e lirshëm me Evropën. Siç premtuam, bashkë me gjethet e vjeshtës, do të bien edhe çmimet e Roaming mes Evropës dhe Ballkanit. Nga 30% -99% ulje. Deri në 95% ulje në Shqipëri dhe deri 99% në Kosovë”, shkruan Bregu.
Top Channel