Ndihmoi një tajlandeze të kalonte kufirin që ta shfrytëzonte për prostitucion, arrestohet suedezi në Rinas

29/09/2023 12:58

Një 42-vjeçar suedez është vënë në pranga pasi ndihmoi një tajlandeze që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i siguruar asaj dokumente identifikimi të falsifikuara.

Sipas policisë dyshohet se 42-vjeçari do ta trafikonte këtë shtetase në Suedi për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Suedezi S. O., ka udhëtuar me 26-vjeçaren nga Turqia drejt Shqipërisë. Pas informacioneve që dy të huajt do të vinin në Rinas, policia ka mundur ti kapë.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonin dy shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False””, thuhet në njoftimin e policisë.

Suedezi iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA