Portretet dhe veprimtaria e 33 personaliteteve të njohura në fushën e bartjes dhe përçimit të traditës folklorike dhe tradicionale shqiptare janë ekspozuar në një event përgjatë ditës së Trashëgimisë Kulturore sot në Gjirokastër.
Personalitete të tillë si Anastas Kullurioti, botuesi i Abetares së parë të shqipes në Greqi si dhe një grumbullues pasionant i folklorit përgjatë shek të XIX apo Thoma Nasi kompozuesi i këngës së njohur “ Vlora, Vlora” njëherazi themelues i dy formacioneve orkestrale shqiptare në Amerikë.
Personalitete me dëshmi evidente por edhe të humbura në kohë si mjeshtri i sazeve Asllan Leskoviku, “Usta Laveri” i Përmetit që u bë i njohur për kabanë e famshme dhe veglat muzikore artizanale të cilat i sajonte vetë. Kreu i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike Niko Kotherja shpjegon se memoria shkon edhe për shumë të huaj që shpëtuan me punën e tyre thesare të folklorit shqiptar si dhe për veprën e grumbulluesve nga Veriu në Jug.
Ekspozita evidenton disa figura grash që thyen tabu në kohën që ju bashkuan përpjekjeve për mbrojtjen e elementëve të rrallë të folklorit si Luçie Miloti interpretuese e më shumë se 500 këngëve qytetare apo Fitnete Rexha e Fatime Sokoli i njohur si këngëtarja e dhimbjes dhe krenarisë kombëtare.
Ekspozita evidenton edhe tradita dhe rite autentike siç janë ato baritore dhe sjell një homazh për fyellin një nga instrumentat mijëravjeçarë me natyrë lirike baritore, rolin e mëtejshëm të instrumentit si “prerës” në formacionet e sazeve deri sa u zëvendësua më vonë nga klarineta.
Top Channel