Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht, pasi një çantë e mbushur me para u gjetë e fshehur në kroskotin e mjetit të transportit.
Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar shërbim korrekt, me etikë dhe të shpejtë, qytetarëve në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Directions”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga pronari dhe drejtuesi i autobusit, R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan; si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesit alternativë të autobusit A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras.
Gjatë kontrolleve të imtësishme, autoritetet kanë gjetur në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, me 82 010 euro brenda, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar.
Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Top Channel