Derisa autoritetet e Kosovës çdo ditë prezantojnë prova se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, kjo parti – më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk është deklaruar.

Kjo nuk ka qenë një praktikë e zakonshme deri më tani, sepse kur ndonjë nga zyrtarët kosovarë e ka përmendur Radoiçiçin në kontekst negativ, Lista Serbe do të shfaqte qëndrimin në mbrojtje të nënkryetarit të saj.

A po distancohet këtë herë Lista Serbe, përmes heshtjes, nga Millan Radoiçiçi?

Lidhur me këtë pyetje, Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka mundur të marrë përgjigje nga zyrtari i kësaj partie. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zëvendësi i tij, Igor Simiq, nuk përgjigjen në telefon dhe as ndaj mesazheve. As zyrtarët tjerë të kësaj partie, nga komuna të ndryshme me shumicë serbe, nuk ishin të qasshëm.

Në një prononcim për REL-in, Ognjen Gogii, politolog nga Beogradi, vlerëson se Lista Serbe kësaj radhe nuk është deklaruar, për shkak se “nuk ka çfarë të thotë” dhe se “ende nuk di se si të pozicionohet ndaj tij”.

Autoritetet e Kosovës e cilësuan Millan Radoiçiqin si organizator dhe pjesëmarrës të sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator. Një grup personash të armatosur dhe të maskuar, vranë policin Afrim Bunjaku dhe më pas policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb. Mirëpo, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Lista Serbe si parti politike nuk mund t’i bartë pasojat e veprimeve të individëve, në qoftë se distancohet prej tyre.

Pse nuk reagon Lista Serbe?

Politologu Ognjen Gogiq thekson se Lista Serbe nuk merr vendime në mënyrë të pavarur dhe se në fakt po pret që Beogradi zyrtar të shprehë fillimisht qëndrimin e tij për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në Banjskë.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Që atëherë, me mbi 90 për qind të mbështetjes, ajo ka fituar pothuajse në të gjitha zgjedhjet lokale apo parlamentare në Kosovë.

“Kur Beogradi të vendosë se si do të pozicionohet ndaj Millanit (Radoiçiq), ashtu do të pozicionohet dhe do të reagojë edhe Lista Serbe. Ajo që e dallon këtë situatë nga të gjitha të tjerat është se kemi prova, pra, është shfaqur një video, në të cilën shihet qartë Millan Radoiçiqi në portën e manastirit, me uniformë”, thekson ai.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 26 shtator publikoi një video të bërë nga droni me pretendimet se tregon rolin e Radoiçiqit në konfliktin e armatosur me policinë në Banjskë. Një ditë më herët, duke folur për sasinë e madhe të armëve të gjetura, Sveçla tha gjithashtu se policia ka gjetur dokumente që vërtetojnë lidhjen dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radoiçiqit në aksion./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA