Vjosa Osmani deklaroi një ditë më parë se mbështet idenë që drafti i Asocacionit të komunave me shumicë serbe të hartohet në bashkëpunim me SHBA-në, e më pas t`i paraqitet sekretarit amerikan, Antony Blinken.

Osmani këtë deklaratë e bëri gjatë një interviste për RTK-në, teksa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj po jepte intervistë në emisionin Pressing të T7.

Osmani tha se ka ende mëdyshje rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti, posaçërisht për pjesët që kanë të bëjnë me vetmenaxhimin e komunitetit serb, por ajo marrëveshja, tha presidentja, është një detyrim ndërkombëtar.

Haradinaj u pyet për këtë qëndrim të Osmanit, të cilës i dha mbështetje të plotë.  Politikani veteran u shpreh se Prishtina humbur kohë e shtoi se nëse Kosova dhe SHBA-ja pajtohen rreth Asociacionit atëherë rreziku ka kaluar.

“Mua më vjen keq që kemi humbur kohë për të bërë këtë veprim. Unë e aprovoj këtë qëndrim të presidentes dhe është momenti më I mirë me e bë sepse edhe jemi fitues. Kemi dëshmuar se në terren jemi fitues në rastin e asaj që ndodhi me përballje me terrorizmin. Si fitues politik e dëshmojnë që nuk është qëllimi ynë t`i humbasim të drejtat serbëve të Kosovës. Po kështu nuk duam të jemi palë që nuk frymëzon besim, sepse e kemi marrë këtë lloj detyrimi edhe në planin franko gjerman. Nëse arrijmë të merremi vesh me amerikanët, atëherë mund t`ju them se rrezikun e kemi kaluar”, u shpreh ai.

Top Channel