Çështjet penale po trajtohen me prioritet në gjykatën e Apelit në Tiranë edhe pse stoku i dosjeve për paditë civile që vijnë nga gjykatat e shkallës së parë të rretheve vijon të rritet.

Avokatja Elona Mone thotë se vetëm nga Vlora janë me mijëra dosje që nga zgjidhja e martesave deri tek problemet e pronave që ende nuk janë shqyrtuar.

“Gjykatat po i japin përparësi vetëm proceseve penale dhe ato që janë me të arrestuar, ndërkohë që proceset gjyqësore civile, ato që kanë të bëjnë me pronësinë, gjithmonë po hasin në vonesa gjithmonë e më tepër. Kjo lloj vonese sjell një ngërç jo vetëm për ata të cilët kanë interes që të përfundojë procesi dhe të marrin një çertifikatë pronësie në dorën e tyre, por është problem edhe për të gjithë ata kërkues të cilët kanë nevojë të blejnë një pronë sot”, shprehet avokatja Elona Mone.

Mosshortimi dhe mosgjykimi i këtyre çështjeve në kohë ka sjellë një sërë pasojash negative. Shumë të huaj, sipas avokates Elona Mone, po blejnë prona në bregdet. Por për shkak të problemeve të pronësisë mes pronarëve, investitorët e huaj po përballen me vonesa të pakuptimta. Dhe kjo vetëm për faktin se gjykata ende nuk po I gjykon këto dosje shumëvjeçare.

“Njerëzit nuk vijnë vetëm për turizëm, por tashmë vijnë dhe për investim dhe këtë investim e shikojnë kryesisht tek prona, si në formën e aparatamenteve, por edhe për troje, pra duan që të investojnë, të bëjnë ndërtime të reja. Mirëpo ne në momentin që një pronë, shumica prej nesh, studiove ligjore, shumica prej vlonjatëve apo dhe personave të tjerë jashtë rrethit tonë, kanë probleme me pronat, ky është një ngërç. Në momentin që një pronë nuk merr zgjidhje edhe oferta është shumë e ulët”, u shpreh avokatja.

Vlorë është një nga zonat bregdetare ku po ndërtohet më shumë, kjo për shkak edhe të numrit të madh të turistëve që e kanë vizituar gjatë viteve të fundit. Çmimet në qytetin bregdetar shkojnë nga 1000 deri në 2500 euro për metër katror.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA