Vrasje për drogë dhe zhdukje personi/ Pista kryesore e ekzekutimit të 38-vjeçarit në Sukth, larje hesapesh! Shoqërohen 7 persona

27/09/2023 15:04

Konfliktet për aktivitete të paligjshme jashtë vendit vijojnë të prodhojnë ngjarje kriminale në Shqipëri.

Rreth mesnatës në fshatin Katund të Sukthit pranë shinave të trenit u qëllua me armë zjarri drejt automjetit ku udhëtonte Fatjon Dervishi së bashku me një mik të tij. Si pasojë e të shtënave 38 vjeçari u plagos rëndë dhe humbi jetën sapo mbërriti në spital. Ndërkohë që miku i tij, i cili nuk u lëndua nga ky sulm i armatosur tha për policinë se me viktimën ishte në një lokal dhe teksa po ktheheshin në shtëpi kur mjeti uli shpejtësinë në shina u sulmuan nga persona të pa identifikuar të cilët pas atentatit u zhdukën pa gjurmë.

Viktima kishte ndryshuar edhe emrin, nga Fatjon Dervishi në Ton Dervishi. Por, njihej edhe me emrin Toni Margen.

Policia dyshon se kjo vrasje zanafillën e ka tek e shkuara kriminale e vëllait të viktimës, Farbardh Dervisi, i cili mban edhe mbiemrin Doda dhe aktualisht ndodhet në burg. Në Spanjë Farbardh Dervishi ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me narkotikë por edhe me vepra të tjera penale si armëmbajtje, pastrim parash etj. I veshur si polic ai ka bastisur disa magazine droge në Spanjë që përdoreshin nga grupet rivale. Emri i tij del si person i implikuar edhe në zhdukjen e një shqiptari të identifikuar si Taulant Malshi në vitin 2018. Disa muaj pasi ai u kthye në Shqipëri sërish pati telashe dhe ra në pranga pasi plagosi të dashurën me një plumb në shpatull teksa ndodheshin në një dhomë hoteli.

Një tjetër pistë ku po heton policia është edhe e shkuara e viktimës, i cili megjithëse nuk rezulton i dënuar, ka qenë i skeduar nga ana e policisë për drogë dhe krime ndaj personit dhe pronës. Policia po verifikon dhe lidhjet e tij me disa persona me rekorde kriminale në zonën e Sukthit dhe të Shijakut. Në cilësinë e personave që kanë dijeni, policia ka shoqëruar shtatë persona, mes tyre shtetasi E. Sh., pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari në momentin e të shtënave). Po ashtu, janë sekuestruar kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor “Maminas – Shijak – Sukth – Sallmone”, që ka ndjekur viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA