Katër ditë pas sulmit terrorist, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Policia e Kosovës ka kryer aksionin për krehjen e zonës në fshatin Banjskë ku ndodhi përplasja me grupin terrorist.
Rreth orës 12 të mesditës së të mërkurës, policia ka liruar mediat të hyjnë brenda fshatit të Banjskës ku gjithçka u zhvillua të dielën.
Këtu është ura për të cilën policia kishte marr informacion se ishte bllokuar dhe kishte ardhur për të ekzaminuar zonën, ku pastaj u vra polici.
Nga kjo hapësirë është zhvilluar e gjithë përplasja mes Policisë dhe grupit terrorist që u zhvendos menjëherë në manastirin e Banjskës.
Nga këtu e tutje, nëpër disa shtëpi kanë mbetur gjurmët e përplasjes së policisë së Kosovës me grupin terrorist. Autoritetet thonë që u sulmuan nga të gjitha anët.
“Kemi ardhur të gjithë këtu, ka pas gjuajtje me armë të gjata, këtu ka një arkë që thotë se ka minahedhësa 82 milimetërsh dhe ne është dashur të reagojmë”, tha DEK Veton Elshani.
Edhe qetësia në fshat është e vërejtshme e banorët nuk flasin për mediat shqiptare, ndërkohë për ato serbe thonë që janë të frikësuar.
Megjithatë, bashkëpunimin me autoritetet e kanë më të lehtë.
“Qytetarët kanë qenë bashkëpunues, janë qytetarë të mirë, nuk kemi problem me ta, por qëllimet e grupit terrorist, se cilat ishin pritet të shihet në vazhdim”, tha Elshani.
Të dielën këtu kishte qëndruar i kërkuari nga autoritetet e Kosovës, Milan Radojiçiq bashkë me pjesëtarët e grupi terrorist që sulmuan policinë. Kjo është bujtina e manastirit, ku mund të shihet se kishin pasur pamje të qartë të zonës.
Përpos në bujtinë, grupi terrorist ishte i shpërndarë në pjesë të tjera të manastirit.
Kjo është rruga që u përdor nga grupi terrorist për t’u larguar nga manastiri i Banjskës pasi ishin të bllokuar nga policia.
Ndërkaq, hapësira prapa manastirit ka një pamje tjetër. Aty shihen mbeturinat që kanë mbetur nga ushqimet e konsumuara nga grupi terrorist. Po ashtu, edhe rrethojat e prera që tregojnë një pikë hyrëse brenda perimetrit.
Policia e Kosovës e ka përfunduar aksionin të martën, ku në përfundim ka bastisur edhe disa shtëpi private e ka konfiskuar armë të kalibrit të ndryshëm bashkë me fishekë e shumica prej këtyre armëve dhe personave që i posedonin ato nuk kishin leje për ta bërë një gjë të tillë.
Top Channel