Dita Ndërkombëtare e Turizmit/ Shqipëria feston “bumin” turistik pas sezonit të suksesshëm veror

27/09/2023 10:58
Pamje nga Riviera shqiptare

Dita e Turizmit shënohet sot në botë.

27 shtatori përkon me përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror që ndodhi më 27 shtator 1970. Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara është agjencia e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për promovimin e turizmit me qasje të besueshme, të qëndrueshme dhe universale.

Dita e Turizmit këtë vit e gjen Shqipërinë në momentin e saj më të mirë në këtë sektor. Vendi ynë feston mbylljen e një sezoni të suksesshëm veror, ndërsa synon të tërheqë turistë në 12 muajt e vitit, me turistët që e zgjedhin Shqipërinë jo vetëm për bregdetin e bukur, por edhe malin, natyrën dhe historinë.

Vetëm një ditë më parë, INSTAT publikoi numrin e turistëve në tetë muajt e parë të vitit dhe shifrat janë një rekord për vendin.

7.2 milionë persona hynë në vend nga janari deri në gusht, me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në gusht, që është kulmi i sezonit turistik, në vend hyrë rreth 2 milionë shtetas të huaj. Që nga qershori në vend hynë mbi 1 milionë shtetas të huaj, për të arritur në 1.77 milionë në korrik, duke e kaluar për herë të parë pragun e 2 milionëve në gusht.

Shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë pjesën më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, ndërsa vendin e dytë e zënë italianët.

Viti pas viti, turizmi është bërë një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë, falë potencialit që ofron vendi me monumentet historike, vijën gjatë bregdetare apo zhvillimit të turizmit malor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA