Gjashtë persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në funksion të zbardhjes së vrasjes që ndodhi natën e kaluar në Katund Sukth të Durrësit.

Policia po vijon me intensitet hetimet, ndërsa po këqyren edhe pamjet e kamerave të sigurisë aty ku ka në mënyrë që të kuptohen lëvizjet e viktimës dhe autorit. 38-vjeçari Fatjon Dervishi u qëllua natën e kaluar ndërsa po kthehej me makinë në shtëpi bashkë me një shokun e tij, pasi kishin qëndruar në një lokal.

Autori ka pritur momentin kur automjeti i drejtuar nga viktima ka ulur shpejtësinë për të qëlluar mbi të. Ndërsa plumbat kanë goditur për vdekje 38-vjeçarin që ndërroi jetë në spital, personi tjetër ka shpëtuar pa u prekur prej tyre.

Dervishi u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në Katund të Sukthit, pranë shinave të trenit. Kontrolle të shumta janë ushtruar në të gjithë zonën përreth dhe në hyrje-daljet nga autostrada. Në ndihmë të policisë së Durrësit kanë mbërritur edhe dy grupe të FNSH-së Tiranë. Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë krim.

Ndërkohë hetimet janë përqendruar dhe në aktivitetin e viktimës, po dhe të shokut të tij i cili nuk ka ndihmuar shumë me dëshminë e tij.
Errësira në zonë nuk ka ndihmuar për të dhënë detaje që do të ndihmonin zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA