Një atentat me armë zjarri ka ndodhur pak minuta më parë në Malin e Shoshit, në Dukagjin të Shkodrës.

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj babë e bir, Zef dhe Gjin Guri. Për pasojë, ka mbetur i vrarë Zef Guri dhe i plagosur rëndë, Gjini.

Në drejtim të Dukagjinit janë nisur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSh-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në DPPSh, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, një zonë e thellë malore.

Gjin Guri është një emër i njohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin, 2015, u arrestua pasi qëlloi me armë zjarri ndaj policisë që ushtronte kontrolle për kanabis në Dukagjin ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit, u vendos tritol.

E shkuara e Gjin Gurit

Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit në Dukagjin.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.

Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, shtetasi Gjin Guri, është një person me precedent penal, sepse është dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin. “Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.

Top Channel