Sot ditë zie në Kosovë, homazhe për policin e vrarë në krye të detyrës! Rama: Respekte dhe përulësi për Afrim Bunjakun

25/09/2023 08:24

Dita e sotme është shpallur ditë zie në Kosovë, me flamujt që do të ulen gjysmë shtizë, në nderim të policit Afrim Bunjaku, që mbeti i vrarë në krye të detyrës në veri të vendit.

Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpreh përulësinë dhe respektin për policin Bunjaku.

“Mirmëngjesi, me përulësi me respekt për policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, shkruan Rama.

Dhimbja për humbjen e rreshterit nuk është vetëm në familjen e të ndjerit, por te çdo qytetar që dëshmoi humbjen e një tjetër bashkatdhetari në mision për të ruajtur integritetin territorial të vendit.

Në trotuaret e qytetit dhe në institucione të ndryshme, mbrëmjen e djeshme u ndezën qirinj për 50-vjeçarin nga Samadrexha e Vushtrrisë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i Komunës së Prishtinës, e policë të tjerë i mbajtën homazhet para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë.

Ngjarja e paprecedentë ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposaviqit. Persona të armatosur i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviq. Më pas, qëlluan në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Me pozicion rreshter, prej vitesh Bunjaku shërbeu në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore. Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës.

Bunjaku e kreu me nder e krenari deri në frymën e fundit detyrën e tij, janë shprehur mes dhimbjes familjarët e heroit.

Top Channel