“Injektimi i Avullit”/ CEO i Bankers Petroleum Albania prezanton projektin që do të ndryshojë Patos-Marinzën

25/09/2023 16:14

CEO i Bankers Petroleum Albania, Huanqin Xiao, prezanton projektin e ri, që sipas tij do të ndryshojë Patos-Marinzën.

Xiao thotë se injektimi me avull, do të rrisë ndjeshëm prodhimin e naftës nga kjo fushë.

Ne jemi të vetëdijshëm se Patos-Marinza është aseti më i madh për prodhimin e naftës në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kemi ndaluar së investuari, jo vetëm në operacionet e hidrokarbure, por edhe në mjedis dhe komunitetet përreth. Trajtimi i mbetjeve hidrokarbure është tashmë një projekt që është në zhvillim, ku aktualisht po I trajtojmë në furrat e çimentos në Fushë-Krujë.

Pas marrjes të të gjitha lejeve të nevojshme nga autoritetet përkatëse, do të ngremë njësinëe trajtimit të mbetjeve hidrokarbure (pa ndikim në mjedis) në fushën e naftës së Patos-Marinza, një investim që nuk është kryer më parë në Shqipëri”.

Duke folur për mjedisin e biznesit në Shqipëri, konkretisht në sektorin e naftës, Xiao thotë se ka mundësi të mëdha për rritje dhe inovacion, por ka edhe disa sfida.

“Janë disa sfida që duhen adresuar për të përmirësuar më tej klimën e biznesit. Këto përfshijnë zbatimin dhe përditësimin e rregulloreve për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare dhe për të promovuar lehtësinë e bërjes së biznesit, investimet në infrastrukturë, sidomos në transport dhe energji, për të zvogëluar kostot operative, arsimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, zvogëlimin e korrupsionit, etj. Adresimi i këtyre sfidave do të jetë i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi më të favorshëm dhe të qëndrueshëm të biznesit në Shqipëri”.

Një tjetër çështje është rekrutimi i forcës punëtore, për të cilën CEO i Bankers Petroleum Albania shprehet se ka arritur një bashkëpunim me Universitetin Politeknik.

Sfidën e kemi në kurrikulat universitare, të cilat nuk janë përditësuar në mënyrë të plotë për t’u përputhur me avancimet teknologjike dhe kërkesat e tregut, duke lënë kështu diplomuarit në fushën e industrisë së naftës me mangësi praktike dhe mungesë të përshtatjes me kërkesat e biznesit. Megjithatë, si kompani, kemi pasur një bashkëpunim të gjatë me Universitetin Politeknik, ku ofrojmë mundësi praktikash për studentët, duke i mundësuar atyre të njihen me teknologjitë dhe praktikat më të fundit në industrinë e naftës. Jam krenar të them se shumë nga këta studentë nga ky program janë tani punonjës të kompanisë tonë”.

Gjithashtu, zhvlerësimi i i valutave të huaja kundrejt monedhës vendase ka ndikuar në biznesin e përpunimit të naftës.

Rreziku i tregut, i cili përfshin edhe këmbimin e valutave të huaja, është prezent kur kryhen operacione të huaja. Nafta bruto shitet në USD, ndërsa kompania ka transaksione në LEK kur paguan furnizuesit vendas, pagat për punonjësit dhe taksat. Rënia drastike e EUR dhe USD në gjysmën e parë të vitit 2023 ka pasur një ndikim negativ në kompani prej afërsisht $3 milionë”, shpjegon Xiao.

Aktualisht, Bankers eksporton pjesën më të madhe të naftës të prodhuar në Patos-Marinza, pasi nuk ka kapacitete përpunimi brenda vendit.

“Është në interesin e Bankers të shesë produktin në tregun vendas, pasi kostoja e shitjes (përfshirë transportin dhe tarifat e tjera) do të ishin shumë më të ulëta. Megjithatë, në një situatë ku mungojnë rafineritë e mëdha, nafta e bruto eksportohet. Tregjet më të rëndësishme të eksportit qëndrojnë në Europë, me Spanjën dhe Italinë që kryesojnë”, thotë CEO i Bankers.

Top Channel