Pretendimeve të Aleksandër Vuçiç lidhur me ngjarjet e së dielës, i është kundërpërgjigjur ish-ministri-gjerman për Europën, Michael Roth, i cili e bëri të qartë se vrasja e pjesëtarit të forcave të policisë së Kosovës ishte shkelje e vijave të kuqe.

“I dashur president Vuçiç! Të vrasësh njerëz është krim i tmerrshëm. S’ka rëndësi për mua se prej nga vijnë viktimat dhe autorët e veprës. S’më interesojnë farë nacionalitetet dhe etnitë. Së bashku kosovarët dhe serbët meritojnë të jetojnë në paqe, siguri, dinjitet dhe kufij të sigurt”, shprehet Michael Roth.

Vuçiç komentoi ndër të tjera në konferencën për shtyp edhe shkrimin e bërë nga deputeti gjerman, i cili theksonte se bandat serbe me mbështetje direkte nga Beogradi ka shumë gjasë që të jenë përgjegjëse përsëri për vrasjen e policit kosovar.

“Sot mundët të dëgjoni se gjithçka erdhi nga Beogradi, se Serbia e bëri gjithë këtë dhe një gjë e tillë tregon qartë se çfarë qëllimesh kanë që nga Rothi e deri te Fhelinger që bëri thirrje për bombardim të Beogradit”, ishte komenti i presidentit serb.

Politikani gjerman e kishte shënjestruar drejtpërdrejte Vuçiçin duke thënë se ishte kurioz të shikonte se cili do të ishte arsyetimi i tij kësaj here. Mbrëmjen e së dielës, kreu i shtetit akuzoi po kështu kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për situatën në veri, ndërsa fshikulloi edhe forcat paqeruajtëse të NATO-s me pretendimin se i dhanë lejen policisë së Kosovës të vrasë grupin e serbëve që qëlloi për vdekje policin Afrim Bunjaku.

Ai hodhi poshtë mundësinë që ushtria apo policia e Serbisë të jenë përfshirë në ngjarjet e së dielës, ndërsa i kërkoi sërish komunitetit ndërkombëtar të “themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe që në veri serbët të jenë në polici, sepse kjo është e vetmja mënyrë që serbët të mos dëbohen nga vatrat e tyre apo që të mos ketë konflikte”.

Top Channel