Serbët, luftë me Policinë e Kosovës/ Vritet efektivi! Ekzekutohen 3 sulmues, arrestohen 6 të tjerë, manastiri në Banjskë ‘plot’ me municione

24/09/2023 20:26

Në orën 02:34 të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të larguar dy kamionë që e kishin bllokuar rrugën për në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia është përballur me një sulm nga një grup i personave të armatosur dhe maskuar.

Policia njofton se ata janë sulmuar me një arsenal armësh e granata dore. Si pasojë, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Policia e Kosovës gjatë gjithë ditës ka shkëmbyer zjarr me një grup kriminal që ishte zhvendosur brenda manastirit të Banjskës. Deri në orët e pasdites janë dëgjuar të shtënat nga hapësirat përreth manastirit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ishin rreth 30 persona të uniformuar e të armatosur. Policia e Kosovës arriti të sigurojë pamjet e tyre brenda manastirit dhe shihen të maskuar e të uniformuar. Autoritetet panë edhe autoblinda dhe arsenal armësh.

Përgjatë përballjes me ta, policia neutralizoi tre sulmues e deri në orët e pasdites arrestoi edhe njërin prej tyre.

Nga Dioqeza e Prizrenit, u bë e ditur se brenda manastirit ndodheshin edhe disa predikues fetar që kishin ardhur nga Novi Sadi.

Përgjatë kësaj kohe, në ndihmë policisë i erdhën edhe KFOR-i dhe EULEX-i.

Rreth orës 17:00 ndërhyri në Manastir dhe në udhëkryqin e Banjskës u panë autoblindat e Policisë dhe Autoambulancat tek transportonin njerëz.

Pas aksionit brenda manastirit, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi se tre sulmues janë vrarë. Gjashtë të tjerë janë arrestuar, mes të cilëve dy janë të plagosur dhe janë dërguar në spital për të marrë kujdesin shëndetësor.

Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Policia e Kosovës ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

“Mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit territorial”.

Reagimet për ngjarjen e rëndë:

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia hedh fajin drejtpërdrejtë Serbisë si organizatorja dhe mbështetësja e bandave kriminale serbe, të cilat kanë organizuar dhe ekzekutuar sulmin me armë në veri të vendit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën të tjerë.

Nga ana tjetër më tepër detaje u treguan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se krimi i organizuar në fshatin Banjska të Leposavqit ka totalisht mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ndër të tjera ia deklaroi se aktualisht janë 30 persona të armatosur rëndë rreth Manastirit të Banjskës.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e lidh ngjarjen me “rebelimin e disa serbëve të Kosovës që ngritën barrikada”. Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë. Vuçiç tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t’ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime. Madje, theksoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por është i gatshëm të bisedojë.

SHBA-ja e dënoi ashpër sulmin e rëndë ndaj Policisë së Kosovës, ku riktheu në vëmendje garantimin e ligjit, që do të sjellë nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë.

 “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, tha ambasadori Jeffrey Hovenier.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me një gjuhë të ashpër dënuan ngjarjen e rëndë dhe kërkuan de-përshkallëzim të situatës.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i është në terren dhe në kontakt me KFOR-in”, shkruan Borell.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, teksa e dënoi ashpër sulmin me armë, i bëri thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmit që cënon rëndë rendin e Kosovës.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndër të tjera theksoi Kosova dhe Serbia duhet të ulen sa më shpejt në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Sipas Ramës, nevojitet thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen dhe garancinë e BE-së dhe SHBA-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA