Sulmin në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e lidh me “rebelimin e disa serbëve të Kosovës që ngritën barrikada”

Në televizionin serb, Vuçiç tha sonte se “tre serbë nga Kosova u vranë, dy u plagosën rëndë dhe dyshoj për vrasjen e një tjetri”.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit. Në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.

Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.

Vuçiç tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t’ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime. Madje, theksoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por është i gatshëm të bisedojë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha gjatë paradites se banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të blinduara dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës. Ai e quajti “formacion profesionist” grupin e personave që kreu sulmin e armatosur.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tregoi se u arrestuan gjashtë persona, dy prej tyre sulmues dhe katër të tjerë që e mbështetën sulmin me radio-lidhje, dhe se aksioni i Policisë për kapjen sulmuesve të tjerë po vazhdon.

Top Channel