Reagon Rama: Tragjedia sot, kambanë alarmi për rrezik! Komuniteti euroatlantik të ulë me forcë për dialog Kosovën dhe Serbinë

24/09/2023 12:37

Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Rama thotë se tragjedia e sotme është kambana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit dhe Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë me forcë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.“- thuhet në reagimin e Ramës.

 Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Banjska të Leposaviçit ku është sulmuar patrulla policore e Kosovës. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Top Channel