Presidenti Bajram Begaj, ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Kreu i shtetit shqiptar i bën thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmit që cënon rëndë rendin e Kosovës.
“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.
Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.“-thuhet në reagimin e presidentit Begaj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Banjska të Leposaviçit ku është sulmuar patrulla policore e Kosovës. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Top Channel