Zjarret e shumta të ditës së djeshme në territorin e Bashkisë Fier dhe Patos kanë lënë pas një bilanc të frikshëm dëmesh.
Sipas prefektit të qarkut, Lefter Shehaj, vetëm në pyllin me pisha duke nisur nga Pish Poro e në Darëzezë është përshkuar nga zjarri një sipërfaqe prej 280 ha me pisha, shkurre e toka bujqësore ndërkohë që 45 ha ullishte dhe pemë frutore janë djegur në zonën e Margllicit në Patos.
Po sipas prefektit Shehaj që nga mesdita e djeshme kanë qenë aktive 23 vatra zjarri, ndërkohë që 9 prej tyre kanë marrë përmasa shqetësuese.
Shehaj ka pohuar gjithashtu se janë identifikuar nga policia 9 shtetas për zjarrvënie të qëllimshme ndërkohë që 5 prej tyre janë arrestuar, tre janë proceduar në gjendje të lirë dhe një është shpallur në kërkim.
Ndërkohë në pyllin me pisha të Darëzezës ende ka disa vatra te vogla zjarri aktive te cilat nuk kanë rrezik riaktivizimi. Në shuarjen e flakëve në Patos e Fier janë angazhuar 17 mjete zjarrfikëse mbi 170 forca që janë punonjës të Bashkisë Fier e Patos , FA dhe banorë të zonës.
Top Channel