U dogjën disa sipërfaqe toke dhe tri godina, vihen në pranga dy autorët e zjarrit në Durrës

23/09/2023 13:06

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi ndezën zjarr në Durrës dhe Kavajë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën disa sipërfaqe toke, tri godina, si dhe u rrezikuan banesat përreth.

Shërbimet e Komisariateve të Policisë Durrës dhe Kavajë, sapo janë njoftuar për vatra zjarri në Porto Romano dhe në Golem, janë nisur menjëherë në drejtim të adresave të dhëna, bashkë me shërbimet zjarrfikëse.

Si rezultat i veprimeve hetimore janë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga 2 autorët e dyshuar të zjarrvënieve.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi M. R., 67 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës, pasi ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave, në Porto Romano, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke, si dhe janë rrezikuar banesat përreth.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 63 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka ndezur zjarr për të djegur barishte, në fshatin Karpen, Golem, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur tri objekte njëkatëshe me bar të thatë, në ish-ndërmarrjen e peshkimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Top Channel