Më datë 28 dhe 29 Tetor, Kombëtarja shqiptare e të Amputuarve do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve.
Një turne madhor, zyrtar i cili organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve nga Federata Europiane e futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA dhe do të zhvillohet në Skoci. Stërvitja për kompeticionin ka nisur, ndërkohë që në një intervistë për Top Channel, themeluesi i Kombëtares shqiptare për të Amputuar nuk fsheh entuziasmin
“E filluam si dicka ndryshe, të luanim së bashku, njerëz që kanë kaluar një vështirësi në jetë, i ka ndodhur një fatkeqësi por që e rimarrin prapë jetën ashtu sic vinë. Në fillim djemtë ishin skeptikë, edhe unë herë dekurajohesha e herë inkurajohesha, por nuk ma kishte marrë mendja që ne, Shqipëria të përfaqësohet me këtë kompeticion kaq të rëndësishëm si Liga e Kombeve, që të ngremë flamurin tonë lartë diku në Skoci dhe pse jo që vitin tjetër të shkojmë në Europianin e Fancës”- tha Julian Çela.
Përpos gjithë entuziasmit dhe shpresës që e shoqëron Julianin dhe kolegët e tij, ai rrëfen edhe vështirësitë që i është dashur të kalojë që prej 2019-s kur mori iniciativën për të krijuar këtë ekip. E nga ana tjetër një thirrje për mbështetje bën edhe për kompeticionin që pritet të shkojnë
“Në fillim kam qenë i vetëm, djemtë thoshin ti je i cmendur, ku luhet futboll pa këmbë, thoja po le ta provojmë, e gjithsesi nuk ka qenë e lehtë ti nxirrja nga guacka që ata ishin. Nuk kemi patur asnjë mbështetje, vec kountributit tim, djemtë bënin të pamundurën që të vinin, janë nga rrethet, por futbolli nuk luhet pa njerëz mbrapa pa sponsor dhe ne i bëjmë thirrje si ai jetimi që ka nevojë për përkrahje, dhe ne gjithë këto vite kemi qenë jetim, por duam që teksa përfaqësojmë Shqipërinë ta bëjmë denjësisht atë”- u shpreh Çela.
Kombëtarja shqiptare do të garojë në divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për të Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë.
Ndërkohë që FSHF do të mbulojë gjithë kostot për pjesmarrjen e kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve të Futbollit për Amputuar, ky turne është një shans për tu kualifikuar për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit.
Top Channel