Emri/ Sekuestrohen mbi 200 mijë euro të padeklaruara dhe ilaçe kontrabandë, në pranga 58-vjeçari nga Durrësi

23/09/2023 11:13

Në portin e Durrësit po vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në Shqipëri para që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.

Në bazë të analizës së riskut dhe informacioneve të siguruara paraprakisht, policia sekuestroi 251 295 euro dhe medikamente mjekësore.

Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e grupeve kriminale që tentojnë pastrimin e parave, si  dhe për sekuestrimin e aseteve dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.  58-vjeçari i arrestuar vinte nga Italia dhe tentoi t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar paratë dhe medikamentet që kishte fshehur në automjetin e tij.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4″, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua Muhamed Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13.

Ai kishte fshehur në automjetin e tij 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.

Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.

Top Channel