Ministria e Brendshme Britanike duket se i ka urdhëruar nënkontraktorët e çështjeve të emigrantëve se këta të fundit duhet të strehohen në hotele me të paktën 3-yje, teksa mediat vendase ankoheshin për absurditetin e shpenzimeve që tani arrin në 8 ml paund në ditë për strehimin e tyre.
E përditshmja Daily Mail shkruan se në një listë kërkesash të detyrueshme të ministrisë për kontraktorët thuhej se “ambjentet e kontraktuara të akomodimit duhet të jenë me të paktën 3-yje”, pa zbuluar sesa hotele kishin lidhur kontrata me Ministrinë e Brendshme.
E përditshmja tjetër The Telegraph shkruan se ministria ka edhe një listë tjetër ku nuk përfshihet kërkesa për yjet e hoteleve.
Këtë javë ministrja, Braveman tha në parlament se përdorimi i hoteleve për akomodim është ‘i papranueshëm’ dhe se “nuk është e drejtë që taksapaguesit britanikë të përballojnë këto kosto”.
Një tjetër zëdhënës i ministrisë tha se, shumë hotele nuk kanë kërkesë për numër minimal yjesh dhe se përdorimi i hoteleve është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Por kritikët thonë se kjo bisedë ka më shumë se 25 vjet që nuk ndryshon, dhe emigrantët gjithmonë vendosen në hotele me minimumi 3 yje.
Deputeti konservator John Hayes tha se, nuk është e drejtë që emigrantët të vendosen në hotele që nuk mund të përballohen nga shumica e qytetarëve britanikë.
“Ne duhet të sigurojmë akomodim të pastër e të sigurt, por vetëm me kushtet bazë, në të vërtetë nuk është e nevojshme t’i vendosim ata në hotele”.
Çështja e sigurisë dhe sfidave ligjore ka bërë që autoritetet të mendojnë strehimin e tyre në baza ushtarake ose në anije të përshtatura për banim.
Më herët deputeti konservator, Sir Edward Leigh akuzonte qeverinë për shpërdorim të parave publike me vonesat e përshtatjes së bazës ushtarake Scampton në vend akomodi për azilantët.
Përgjigja e Ministres së Brendshme, Braverman ishte: “Është e vërtetë që nuk mund të vazhdojnë të strehojmë mijëra emigrantë në hotelet në të gjithë vendin”. Por kjo ka mbetur vetëm deklaratë dhe nuk u ndërmor asnjë veprim konkret.
Top Channel