Top Channel ka siguruar pamjet e momentit të plagosjes së inspektorit të forcave speciale “Shqiponja”, Edlir Alleshi.
Ngjarja është regjistruar dy ditë më parë në zonën e Oxhakut në kryeqytet, ku dy patrulla kanë konstatuar një person të dyshimtë dhe kanë kërkuar të ndalojë për kontroll fizik pasi kishin marrë raportime se ishte i rrezikshëm.
Kur i ka kërkuar të ndalojë, ai nuk është bindur dhe është larguar me vrap duke detyruar policinë të vihet në ndjekje të tij.
Forcat “Shqiponja” po lëvizin në trotuar në drejtim të mjetit të autorit Klerent Bozhanajt kur ky i fundit hapi zjarr. Edlir Alleshi plagoset ndërsa kolegu i tij për t’i shpëtuar rrezes së plumbave futet në një lokal.
Polici pasi iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa autori i ngjarjes u vu në pranga një ditë më vonë teksa po tentonte të hynte në shtëpinë e tij në kryeqytet.
Pas mbledhjes së pamjeve filmike në zonë, është bërë i mundur identifikimi i autorit, Klerent Bozhanaj, i cili nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë emigrant në Itali dhe është kthyer muajin e kaluar në Tiranë.
Familjarët e autorit kanë treguar se kohët e fundit ai ka paraqitur shenja depresioni, por nuk ka marrë ndihmë mjekësore për problemet që ka shfaqur.
Top Channel