Osmani “ia mbledh” Borellit: Masat nuk ndihmojnë dialogun, shpejt hyrja në BE!

20/09/2023 12:10

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shfrytëzoi drekën tradicionale me përfaqësuesin e Lartë te BE-së, Josep Borrell dhe krerët e Ballkanit Perëndimor, për të theksuar se masat ndëshkuese të bllokut europian nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut por “prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Në një deklaratë të presidencës, thuhet se Osmani e përshkroi Kosovën si palë konstruktive dhe të përkushtuar për paqe e stabilitet.

“Presidentja Osmani theksoi se masat e BE-së ndaj Kosovës, përveçse se nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, Presidentja tha se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve, edhe me procese reformuese të rëndësishme.”

Osmani kërkoi nga ana tjetër nga Bashkimit Europian që ta përshpejtojë procesin për t`i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në bllok.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka thënë mes tjerash ajo. Presidenti serb Aleksandar Vucic u përpoq të tregonte se dhe vendi tij është i hapur ndaj “bashkëpunimit konstruktiv në rajon që synon përmbushjen e objektivit tonë strategjik – anëtarësimit në BE”.

Shteteve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektiva europiane që prej samitit të Selanikut në vitin 2003.

Top Channel