Fitorja e Shqipërisë ndaj Polonisë/ Rama rinis podcast-et me trajnerin e Kombëtares dhe zëvendësit e tij

16/09/2023 08:55

Fitorja spektalore e Kombëtares sonë ndaj Polonisë të dielën e kaluar është tema e pocast-it të parë, në sezonin e dytë, të kryeministrit Edi Rama.

Të ftuarit janë pikërisht trajneri i skuadrës kuq e zi Silvinjo dhe dy ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva. Intervista është zhvilluar rreth 24 orë pas ndeshjes dhe entuziazmi i Silvinjos dallohet qartë.

Pamë një stadium të mahnitshëm. Pastaj, lojtarët tanë janë protagonistët e vërtetë, që dhanë shpirtin dhe zemrën në fushë. Kjo është ajo që duam. Jemi të kënaqur deri këtu. Dita e djeshme… e paharrueshme, shumë e bukur”, u shpreh trajneri.

Kryeministri Edi Rama:  Përveç Dorivas, për të cilin jam i sigurt e njihte Shqipërinë edhe më parë, sepse ai ka luajtur në Itali, Italia dhe Shqipëria janë afër, duhet të më thoni të vërtetën, kur keni dëgjuar për Shqipërinë për herë të parë?

Silvinjo: Unë në vitin 2014, nga Manaj. E kam stërvitur tek Inter Milano. Isha me Roberto Mançinin. Aty e kam njohur. Ishte shumë i ri, 18 vjeç më duket.

Kryeministri Edi Rama:  Pra, hera e parë që Shqipëria hyri në konceptin tënd për botën.

Silvinjo: Po

Kryeministri Edi Rama:  Po për ty?

Zabaleta: Për mua, në fakt, ishte Keidi Bare, një nga lojtarët tanë, kur shkoi tek Espanyoli, sepse unë jetoj në Barcelonë, luaja për Barcelonën, familja ime kishte abonim sezonal biletash dhe mendoj se Keidi, kur e sheh në fushë, është një njeri që përfaqëson pasionin e shqiptarëve në fushë. Kështu, kjo ishte hera e parë që u prezantova pak me Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama:  Le të vijmë më pas te momenti kur ju erdhi kjo ideja për t’u bërë bashkë për të stërvitur Shqipërinë. Çfarë ju shtyu të krijonit këtë ekip për të stërvitur kombëtaren e këtij vendi të vogël, një kombëtare që, sidoqoftë, nuk është mes atyre të rëndësishmeve. Çfarë e ndezi shkëndijën?

Silvinjo: Unë mendoj, Edi, që kur më erdhi një ftesë për darkë me Presidentin e Federatës, gjëja e parë është që folëm italisht. Unë kisha pasur tanimë një përvojë te Interi dhe flisja italisht. Më pas, edhe Doriva më tha: “Silvio, kujdes, sepse ti ke tre vjet që nga rrugëtimi me kombëtaren braziliane për tre vjet, në botërorin e 2018-ës”. Ai e kuptonte shumë mirë punën. Një shoqëri, një klub është një gjë dhe federata është diçka tjetër. Unë kisha përvojën e kombëtares braziliane. Pas kësaj, nisa të shihja lojtarët shqiptarë që qarkullonin. Pashë që flisnin anglisht, spanjisht, italisht. Unë jam një njeri që komunikoj dhe mendova që aty do të mund të komunikoja me të gjithë futbollistët pa përkthyes, edhe në federatë me presidentin. Aty pata shtysë, shtysë të madh. Pastaj, pas darkës, pasi pashë federatën u afrova edhe më shumë dhe, vërtet, nuk pata më dyshim. Fola me Dorivan, Paolo pranoi, për të ishte shumë mirë dhe pas kësaj ishte e lehtë.

Kryeministri Edi Rama:  Më kujtohet kur u takuam për herë të parë dhe më the: “Ne nuk mund të premtojmë asgjë, por ajo çfarë mund të premtojmë është se, me këta lojtarë, mund të luftojmë për çdo ndeshje dhe sigurisht, më pas, mund të provojmë që këta lojtarë janë në gjendje të zhvillojnë një proces të rëndësishëm kualifikues. Më kujtohet kjo, Tani, për herë të parë në histori, në këtë moment ndeshjesh eliminatore, në krye të grupit, kur mbeten edhe tri ndeshje. Natyrisht, në futboll, nuk thua dot kurrë “mbaroi” para se të mbarojë, se gjërat mund të ndryshojnë dhe gjithçka të…por a mund të ndani ndjesitë tuaja për të gjitha këto, për çfarë është arritur e çfarë vjen më pas.

Zabaleta: Mendoj, se ajo që do të thoja është se, po të shohësh ekipin tonë dhe po të kthehemi tek ai takimi i parë që patëm të gjithë në Shqipëri – edhe pse, kur Silvinjo më mori në telefon, më kujtohet që isha në Katar – kur pamë ekipin, menduam “kemi lojtarë të shkëlqyer për të bërë diçka të madhe. Mund të ëndërrojmë. Kemi një brez lojtarësh që mund të arrijnë diçka të rëndësishme”. Tani që janë luajtur katër ndeshje dhe jemi në krye të grupit, themi që kishim të drejtë. Mund të ëndërrojmë për gjëra të mëdha, por nuk mund të harrojmë që, në futboll, gjithçka mund të ndodhë dhe më e keqja që mund të bëjmë ose gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të zgjedhim të rrimë me këmbët në tokë. Mendoj se kjo është vërtet me rëndësi për ne. E dimë që pritshmëritë janë të mëdha. Gjithnjë, në futboll, kur skuadra ecën mirë, të gjithë janë të lumtur, duan që skuadra të ketë sukses, të sjellë suksese e kështu me radhë. Po, ne, që kemi një kohë kaq të gjatë në futboll, e dimë që është e vështirë. Çdo gjë mund të ndodhë. Moldavia mundi Poloninë, humbën zero me një, pastaj fituan tre me dy. Kështu që, jemi në një grup ku rezultatet janë shumë të ngushta, çdo gjë ndodh, por gjithçka varet nga ne. Ajo çfarë po tregojmë është që kemi një skuadër të shkëlqyer për të arritur diçka të madhe. Jemi në gjendje të mundim çdokënd, por këmbët në tokë, të qetësojmë pritshmëritë. Kemi ende tri ndeshje për të luajtur. Hap pas hapi, lojë pas loje dhe pastaj do të shohim nëse në nëntor do të arrijmë atë ëndërr që nuk është vetëm e jona, është ëndrra e këtij vendi.

Kryeministri Edi Rama:  Po, e të gjithë kombit. Si është ndjesia tani?

Doriva: E lumtur, për gjithë çfarë kemi mundur të bëjmë deri tani, por jemi të ndërgjegjshëm që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse ende mungojnë tri ndeshje, por kemi besimin që skuadra mund të përmirësohet edhe më shumë. Mund ta bëjmë, kështu që jemi në rrugën e duhur.

Silvinjo: Të gjitha sa u thanë janë të drejta. Jemi të vetëdijshëm që po ecim mirë dhe kur bëhet fjalë për këtë, sigurisht që protagonistët janë lojtarët. Të gjithë kemi kaluar nëpër rrugën tonë si lojtarë dhe aty produkti është i mirë, siç e tha Paolo. Janë lojtarë shumë të fortë, janë të mirë, menaxhimi është i mirë. Kemi tri finale, kemi tri finale. Prandaj është i bukur futbolli, për të gjitha këto. Një grup i vështirë, i ekuilibruar, megjithatë, e kemi arritur pjesën e parë të objektivit një kuptim. Fitorja e djeshme na çon drejt një ndeshjeje më shumë në tetor dhe me një rezultat të mirë arrijmë në nëntor, në kushtet për t’u kualifikuar, çka varet vetëm nga ne. Kjo është pjesa e parë. Pas nëntorit, pastaj, të shohim, por pjesë e objektivit, deri më tani, ishte kjo.

Kryeministri Edi Rama:  Mendoj që keni një punë shumë të rëndësishme psikologjike për të bërë, sepse presioni mbi djemtë rritet, pritshmëritë e të gjithëve shtohen dhe ne të gjithë shpresojmë shumë që përvoja juaj në fushë, sepse jeni të tre kampionë të padiskutueshëm në jetën tuaj. Keni patur mundësinë të luani në nivelet më të larta ndërkombëtare, të jeni nën trysni gjatë gjithë kohës dhe ndoshta kjo është një vlerë e shtuar për kombëtaren, tani që ju e dini si të ruani qetësinë në këto situata apo nuk është e lehtë që këtë t’ua përcillni djemve.

Silvinjo: Jo, nuk është e lehtë, po ketë drejtë. Ne shkojmë aty të punojmë me të gjithë. Pjesë e rëndësishme e drejtimit është se ne nuk e humbasin kontaktin me lojtarin në këtë moment. Flasim me ta, shkojmë t’i shohim, jemi aty, praktikisht, iu qëndrojmë afër të gjithëve dhe kur vijnë sërish, e dinë tashmë çfarë do të gjejnë te ne në kuptimin e mesazhit, pra edhe kjo është një punë që e bëjmë, një punë që bëhet. Është e drejtë, përvoja është. Mendoj që ne kemi një përvojë të bukur nëv jetë. Si ish-futbollistë mund t’ua përcjellim këtë vërtet atyre, të vihemi në anën tjetër, kjo mendoj dihet. Ajo çfarë shqetëson është që në kombëtare është gjithnjë e vështirë, pasi vijnë nga shumë skuadra, ndërsa ne jemi gjithnjë aty dhe ata e dinë si lojtarë se, përveç ndonjë dëmtimi, do i shohim sërish pas 30 ditësh dhe nëse gjërat shkojnë mirë me të gjithë, do të rinisim në tetor të gjithë së bashku.

Zabaleta: Me shpresë, me shpresë të gjithë do jenë në gjendje të mirë. Kjo për ne është mjaft e vështirë, sepse shohim përditë, përditë ndeshjet e tyre dhe vetëm mund të lutemi që të mos kenë dëmtime e gjithçka tjetër. Po është diçka që nuk e kontrollojmë dot, sigurisht. Kur shohim pastaj lojtarët që vijnë në Shqipëri, të buzëqeshur dhe shohin që gjithçka është në vend, gati për të filluar, kështu e krijon mendësinë e duhur për të garuar. Nuk ka mënyrë tjetër…

Kryeministri Edi Rama:  Po si ia bëni që nga kjo dëshirë e madhe për t’ia dalë, të arrini që trysnia të mos i marrë me vete dhe si ia dilni t’i mbani të përqendruar, që të mos ua bllokojë trurin kjo trysni.

Zabaleta: Mendoj që nuk do ndryshoja asgjë nga ajo që kemi bërë që prej ditës së parë. Kështu kemi punuar për katër ndeshjet e fundit, për t’u siguruar që, kur të vinin lojtarët, gjithçka të ishte në vendin e vet, fusha të ishte në rregull, që të kishim gjithçka na duhej për të punuar dhe që lojtarët të vinin dhe të ndiheshin se mjedisi ishte i shkëlqyer, hoteli, ushqimi, autobusi nga hoteli në terrenin e stërvitjes, sepse është e vetmja mënyrë që të vazhdojmë të rritemi, duke bërë saktësisht të njëjtën. Nëse diçka është e përfshirë aty, e dimë që është e duhura. Këtu jemi vetëm tre veta, por ka më shumë njerëz në staf, më shumë njerëz në federatë, më shumë njerëz në terrenin e stërvitjes. Shumë ditë përpara se të mbërrijnë lojtarët, sigurohemi që gjithçka është në vendin e duhur dhe, siç e thashë, lojtarët vijnë dhe shohin që jemi të gjithë gati për t’ia filluar. Ka diçka që e themi gjithmonë: “Jemi një”. Është një gjë që të vjen mjaft mirë ta dëgjosh mendoj, që jemi që të gjithë një.

Kryeministri Edi Rama:  Për shembull, çfarë iu thatë në pushim të ndeshjes në Pragë, kur kishte mbetur edhe një pjesë loje, që të arrinin të merrnin së paku një pikë?

Doriva: I folëm së pari që të ruanin përqendrimin. Ishte një ndeshje që duhej luajtur deri në fund dhe në fakt e bëmë, e bëmë. Diçka që shoh është se lojtarët tanë asimilojnë gjithçka që iu themi. Kjo është një gjë e mirë. Më pas ata e reflektojnë në fushë. Nuk është e lehtë, por ata… Nga momenti i parë që kemi ardhur këtu e deri më tani kanë kuptuar gjithçka.

Kryeministri Edi Rama:  Mirë, atëherë, le të flasim pak për diçka më të rëndësishme se kombëtarja, se puna juaj, sepse gjërat duhen thënë. Di që jeni në një situatë jo shumë të ekuilibruar në kuptimin e demokracisë, se jeni dy brazilianë e një argjentinas, po më duhet ta bëj këtë pyetje: “Kush është më i mirë Brazili apo Argjentina?”

Silvinjo: Sa botërorë kemi fituar, Doriva?

Zabaleta: Ja, ku e ke përgjigjen, mjafton.

Silvinjo: Botërorin e fundit e fitoi Argjentina.

Doriva: E vërtetë. Jo, ata janë të fortë, po ne jemi më të mirë.

Kryeministri Edi Rama:  Pablo, kush është më mirë, Argjentina apo Brazili?

Zabaleta: Aty e ke përgjigjen. Ata kanë fituar pesë botërorë, kaq. Një me zero për ta.

Silvinjo: Jam i sigurt që, deri në fund, Argjentina do barazojë.

Doriva: Po, po.

Kryeministri Edi Rama:  Po si shpjegohet që dy kombe mjaft të afërta, dy vende mjaft të afërta, por dy shkolla futbolli krejt ndryshe. Vjen nga ADN-ja e lojtarëve që brazilianët janë ndoshta pak më teknikë, argjentinasit pak më të fuqishëm fizikisht, me çfarë ka lidhje kjo?

Zabaleta: Mendoj që, në Amerikën e Jugut, brazilianët janë krejt ndryshe nga të gjithë të tjerët. Ata kanë një teknikë që askush tjetër nuk e ka. Nuk e di…

Silvinjo: Është e vërtetë, ne kemi disa aftësi që nuk i shpjegon dot.

Zabaleta: Mendoj që kur shkon në Brazil – ndjesë Doriva – shkon në plazh dhe i sheh të gjithë që luajnë me top, me një, dy prekje, janë ndryshe nga pjesa tjetër.

Doriva: Kjo është. Njëherë dëgjova nga Joel Santana, një trajner që kam pasur – trajneri i Brazilit në 82-shin

Silvinjo: Edhe në ’86-ën.

Doriva: Po. Ai më tha: “Një gjë që kanë brazilianët është se luajnë zbathur”. Është e vërtetë, mendoj se është e vërtetë, sepse e ndjen më shumë futbollin, topin dhe kjo bën që… Tani ka ndryshuar shumë, por më parë, në plazh, kishte shumë njerëz që luanin futboll. Pastaj mësonin të luanin me këpucë, por më përpara zbathur.

Pablo:  Për mua, ndoshta, kur isha 14 vjeç. Unë vij nga një vend që është dy orë larg nga Buenos Airesi. Vendi ku jetoja ishte shumë i vogël, kishte vetëm tre ekipe, kështu që, në një pikë të caktuar, doja të shkoja të luaja ose qoftë edhe të bëja një provë për një klub të madh në Buenos Aires. Shkova te San Lorenco. Bëra provën dhe menaxheri tha “duam të të marrim këtu”, por më duhej të lija familjen, sepse nuk mund të udhëtoja çdo ditë për t’u stërvitur, ishte rreth tri orë rrugë, ishte tepër. Kështu, vendosa të shkoja, të lija shtëpinë, familjen, miqtë dhe gjithçka dhe vajta në Buenos Aires, si një vend ku rrinin të gjithë lojtarët profesionist, si La Masia, në  Barcelonë. Pak muaj më pas humba nënën. Nëna ime vdiq dhe ai ka qenë ndoshta momenti ku nuk doja të luaja më futboll. Doja vetëm të kthehesha në shtëpi dhe të rrija atje. Ishte e vështirë. U desh një javë pak a shumë që të shkoja në shtëpi, të rrija me tim atë, me vëllezërit, por, pas shtatë ditësh a dy javësh, le të themi, mendova, “pse të rri në shtëpi tani dhe të lë diçka që më pëlqen?” Jeta kështu është, dikur të jep një grusht, po asgjë nuk mund të të ndalë, duhet të ndjekësh ëndrrën tënde. Ja, pse u ktheva në Buenos Aires dhe vazhdova të luaj futboll.

Kryeministri Edi Rama:  Ju keni pasur fatin të bëni takime të rëndësishme në jetën tuaj, me kampionë të mëdhenj, trajnerë të mëdhenj. Unë besoj se në jetën e çdokujt takimet janë gjithnjë ato që përcaktojnë më pas se nga do të rrotullohet bota e tij. Kush apo cilët kanë qenë personazhet me ndikim në jetën tuaj, qoftë si lojtarë, ashtu edhe si trajnerë. Dikush që ju mendoni “ah, ky më ka bërë të kuptoj këtë gjë, ai tjetri më ka bërë të kuptoj një gjë tjetër, tjetri fare më ka dhënë dorën në një moment të rëndësishëm”. Kush janë ata që kanë ndikuar më shumë tek ajo që keni qenë dhe jeni sot në botën e futbollit.

Silvinjo: Unë në këtë pikë kam qenë njeri vërtet me fat, sa u takon trajnerëve. Kam pasur Guardiolën në vitet 2008-2009. Ishte i ri fare, ai 38 vjeç, unë 35; të gjithë bashkë fituam një treshe trofesh. Më pas, në kombëtaren braziliane, respektoj shumë punën e Tite-s, që përshkoi një rrugëtim gjashtëvjeçar me kombëtaren e Brazilit. Ka fituar çdo gjë në Brazil, “Libertadores”, botërorin e klubeve me Corinthians. Roberto Mancini, në vitin 2014 tek Interi. Një kampion, një njeri që menaxhon mirë lojtarët. Është i madh. Pastaj, Arsen Ëenger, siç e thashë. Është zotëri, ka një pikë të rëndësishme aty. Nga aspekti i trajnerit, kam pasur njerëz të rëndësishëm, prej të cilëve kam marrë diçka. Sigurisht, më vonë zhvillojmë veten, duhet të jemi ne që e bëjmë.  Kam qenë me shumë fat që kam mësuar prej këtyre njerëzve. Edhe në kohën e Robertos, Tites dhe Guardiolës unë isha tashmë pak i madh në moshë dhe aty, sipas meje, thith më shumë.

Kryeministri Edi Rama:  Po futbollistët që të kanë ndikuar më shumë? Ata që, ndoshta, kur ishe i ri, ishin në të njëjtin ekip, por të afirmuar të rëndësishëm. Cilët ishin ata?

Silvinjo: Në atë moment, në Brazil… ishte skuadër pak diskrete, ishte viti 1995. Unë e kisha nisur rrugëtimin jo aty, por isha dikush që e frymëzonte shumë skuadra braziliane e 82-shit…, por Ziko, Sokrates, Cerezo, Kareka, këta lojtarë. Kur i shihja të luanin, çmendesha. Ata ishin yjet. Ziko, për shembull, Ziko, për mua, ka qenë një futbollist shumë i madh.

Kryeministri Edi Rama:   Për ty?

Zabaleta: Për mua, do thoja, Javier Zanetti. Ai ishte një lojtar… Kur luaja, e shikoja shumë. Ai luante në pozicionin tim, mund të luante në krahun e djathë, në krahun e majtë, gjithashtu. Më pas, luajtëm së bashku në kombëtare. Arriti një pikë që më zuri dëshpërimi, “kur do dalë në pension, s’do më lërë më vend të luaj”. Njëzet e tetë, 29, vazhdonte të luante, “të lutem, Pupi, më lër të luaj!” Me gjasë, ai ishte një nga ata lojtarë që shihja shumë.

Kryeministri Edi Rama:   Po trajnerët?

Zabaleta: Trajnerët. Unë e them përherë se mëson nga të gjithë ata dhe, pastaj, kur bëhesh vetë trajner, mendoj nis të thuash diçka si “më kujtohet ai trajner, që bënte këtë gjë dhe mua, si lojtar, më pëlqente, kurse kjo gjëja tjetër, ndoshta jo”, por mendoj se duhet t’i respektosh të gjithë, sepse është një nga punët më të vështira në botë, e sigurt. Ai me të cilin kam një lidhje më të mirë, ishte me gjasë Roberto Mancini. Ishte trajneri i parë në Manchester City, kur fituam titullin e parë me gol të shënuar në fund…

Kryeministri Edi Rama:   Çmenduria e minutës së fundit…

Zabaleta: E mban mend kush e shënoi golin e parë në atë ndeshje? Jo? Isha unë. Të gjithë e kanë harruar, sepse unë shënova i pari, por të gjithë mbajnë mend Agueron, kështu që, i them gjithmonë “Sergio më vodhe momentin në atë ndeshje”. Ishte goli im i vetëm për atë sezon. Po mendoj që ai i solli karakter skuadrës dhe atë kohë, për këtë kishim nevojë. Ishim një klub që, siç e dinë shumë njerëz, por rritej sezon pas sezoni, por, në një pikë të caktuar, mund të kesh lojtarë kalibri, por ke nevojë për mendësinë e duhur për të fituar diçka të rëndësishme. Mendoj se Roberto ishte ai lloj drejtuesi, që solli mendësinë fituese dhe unë pata një raport shumë të mirë me të. Dhe ndihem paksa edhe unë kështu, që kur shkoj në një ndeshje, jam shumë i apasionuar pas fitores. Kam shumë kujtime nga Roberto. Ai është një prej atyre, që mesa kujtoj, i frymëzonte shumë lojtarët.

Kryeministri Edi Rama:  Më kujtohet shumë mirë ajo ndeshje, sepse asokohe e ndiqja pak, për shkak të Robertos dhe ju kam thënë, kam shumë interes të ndjek trajnerë të caktuar, për të mësuar sesi drejtojnë, si organizojnë, si përdorin lojërat me mendjen dhe të gjitha këto. Më kujtohet ajo fitore e çmendur në moment të fundit fare, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund dhe pastaj u përmbys.

Zabaleta: Ky është futbolli, sepse ishte ndeshja e fundit e sezonit. Luanim në shtëpi kundër QPR-së, një ekip që shumica e urrenin dhe të gjithë kishin menduar që ishte një ndeshje e lehtë, ManCity do ta fitojë.

Silvinjo: Dhe tani të gjithë e dinë që ti shënove një gol aty.

Zabaleta: Jo, jo, të gjithë e kanë harruar. Unë e them gjithmonë, “goli i harruar”. Nuk kam shënuar shumë, por ai ishte “goli i harruar”.

Kryeministri Edi Rama:   Duhet ta përdorësh këtë shembull, përpara se të vijë Faroe këtu, se nuk e di asnjëherë nga të vjen.

Silvinjo: Absolutisht.

Kryeministri Edi Rama:  Në letër pret që Polonia të jetë më e vështira dhe, pastaj, fiton me Poloninë dhe thua, me Ishujt Faroe është e lehtë dhe ndërkohë… Kur ishte te Sampdoria, kush ishte trajner atje?

Doriva: Luciano Spalletti.

Kryeministri Edi Rama:   Ah, po, ishte Spalletti.

Doriva: Luciano Spalletti. Unë kam luajtur edhe me David Platt. Më parë ishte David Platt. Pastaj, ai u largua dhe u kthye Spalletti.

Kryeministri Edi Rama:   Po për ty, cili ka qenë trajneri që të ka ndikuar më shumë?

Doriva: Tele Santana. Tele Santana më futi në lojë. Isha i ri, njëzet vjeç dhe më futi në lojë. Ai ishte një trajner që shqetësohej për lojtarët, edhe jashtë fushe. Të thoshte të vërtetat e jetës. “Dëgjo, ajo vajza atje do paratë e tua. Duhet të punosh, duhet të blesh një shtëpi. Mos shko të blesh makinë.” Gjëra të rëndësishme për jetën. Pastaj, ishte një trajner që, për kohën e tij, ishte shumë i mirë dhe më ka mësuar shumë gjëra të mira, shumë gjëra, si, për shembull, të shkelmoja topin, sepse nuk dija të gjuaja mirë. Ai ma mësoi. Është e pabesueshme, por kudo ku kam shkuar, një nga tiparet kryesore ishte gjuajtja.

Silvinjo: Edhe sot, Dori, kur shkojmë në qendrën sportive, është shumë gjë e bukur Edi ta shohësh si e gjuan topin. Përdor një lëvizje teknike, po shumë të bukur. Mendoj që e ka bërë mbi 10 000 herë në jetë.

Doriva: Është e vërtetë.

Silvinjo: Është shumë e bukur.

Doriva: Tele më thoshte: “Këmba jote duhet të imitojë një shkop golfi. Duhet ta marrë topin kështu, këtu, për ta rrotulluar në këtë mënyrë, kështu ti mund të drejtosh topin.” Kjo ka bërë dallimin në karrierën time.

Kryeministri Edi Rama:  U treguat të shkathët, të themi, për t’i shpëtuar së parës pyetje të vështirë, Brazili apo Argjentina, me goxha klas…

Silvinjo: Po vjen diçka tjetër çuna

Kryeministri Edi Rama:  Pyetja tjetër – duhet të përgjigjeni, nuk mund të bëni ndryshe – Messi apo Maradona?

Silvinjo: Për mua është e lehtë.

Kryeministri Edi Rama:   E lehtë? Cili është?

Silvinjo: Për mua, Messi.Ka kaq shumë vjet që luan futboll, kaq shumë vjet.

Kryeministri Edi Rama:   Po a do ta bënte dot Messi atë që bëri Maradona, me skuadrat që kishte Maradona, sepse Messi ka pasur në dispozicion makineritë më të mira të luftës. Barcelona e Guardiolës ishte diçka e pabesueshme.

Silvinjo: Djema, kjo po më kujton darkën e parë së bashku. Për mua, mendoj se ai… E kam parë pak Maradonën. Është i mahnitshëm, i mahnitshëm, është një lojtar përtej…

Kryeministri Edi Rama:    Nuk besoj se ka ndonjë tjetër lojtar në historinë e futbollit, i cili ka fituar i vetëm, në kuptimin që e merrte gjithë skuadrën mbi shpatulla, nisej e fitonte. Të tjerët sigurisht punonin që të mos hanin gol, por ai ishte. Ndërkohë, Messi është gjeni, po, sidoqoftë… Mirë.

Zabaleta: Po, por në botërorin e fundit, Messi ishte…

Kryeministri Edi Rama: Prit, se ti do përgjigjesh i fundit. Më parë, braziliani tjetër, Messi apo Maradona?

Doriva: Messi. Edhe për mua, Messi. I kompletuar, më i kompletuar, si brenda, edhe jashtë fushe. Një lojtar i jashtëzakonshëm. Edhe ne brazilianët e dimë.

Kryeministri Edi Rama: Tani e ke radhën ti.

Silvinjo: Të vuri në situatë të vështirë tani.

Zabaleta: Jo, jo, edhe unë Messi do thoja. Vetëm për jetëgjatësinë që ka Messi. Tanimë është 35 vjeç dhe vazhdon të japë momente të mëdha. Fitoi kupën e botës dhe vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm. Tani ka shkuar në Amerikë dhe po bën ende gjëra të pabesueshme dhe ndonjëherë ka diçka që duhet ta vlerësosh te lojtarët, që arrijnë një moshë dhe vazhdojnë të luajnë e të jenë më të mirët. Është diçka e jashtëzakonshme.

Silvinjo: Duket sikur është e lehtë për të. Çdo gjë duket sikur është e lehtë për të.

Zabaleta: Ka edhe një gjë për të cilën folëm edhe më parë, sa kujdesesh për veten jashtë fushe dhe sa profesionist i mirë je. Në këto kohë, nëse nuk bën gjënë e duhur, nuk luan më futboll. Të gjithë janë të mirëpërgatitur për të dhënë rezultate në fushë, fizikisht, mendërisht, ndaj kjo është diçka që duhet ta shohësh te këta lojtarë. Shih ambiciet, kanë fituar çdo gjë. Në vend që të thonë “u krye”, po shkoj në shtëpi, po ulem në divan me një gotë verë dhe po shoh një film në televizor. Jo, duan të shkojnë e të stërviten përditë dhe duan t’u tregojnë lojtarëve të rinj se çfarë duhet të bëjnë. Pastaj mendoj se ne të gjithë kemi luajtur me Messin dhe e kemi shijuar kur e kemi parë në stërvitje. Sigurisht, e shijonim më shumë kur e kishim në skuadër për ndeshjet stërvitore, sesa kur ishte me skuadrën kundërshtare, por, po, mendoj se të gjithë e duan Messin, se ai vazhdon të luajë.

Kryeministri Edi Rama: Ishte shumë i përkushtuar edhe në stërvitje apo më pak?

Zabaleta: Mendoj që, stërvitje, ai nuk është një nga ata lojtarë që jep veten 100 për qind, sepse do të ruajë energji. Sigurisht, është sërish shumë i mirë. Siç e thashë, nëse je në një ndeshje dhe ke Messin në skuadër, ke 99 për qind shanse të fitosh ndeshjen stërvitore, sepse ai bën dallimin.

Po pastaj është në lojë. I kthehet lojës dhe ti e di që ai është përherë në pritje të momentit për të bërë dallimin dhe për t’i bërë njerëzit të lumtur, për të dhuruar momente magjike. E vetmja gjë për mua në ekipin kombëtar me Messin ishte kur humbëm kupën e botës në Brazil, në vitin 2014. Ishte për të ardhur keq, sepse unë isha atje dhe ai luajti shumë fort. Më pas humbëm dy finale të njëpasnjëshme të Kupës së Amerikës me penallti dhe ky ishte momenti ku Messi u kritikua shumë dhe ndaloi së luajturi një farë periudhe, pastaj u kthye. Kur isha tani në Katar dhe ai fitoi kupën e botës, mendoj shumë njerëz e mbështetën Argjentinën falë Messit dhe kjo është diçka që e bën ai dhe ishte e pabesueshme ta shihje.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, nuk kam prova, por ende besoj se, në Katar, dora e Diegos nga lart e ndihmoi Argjentinën në një farë mënyre. Ishte fryma që e rrethonte. U bënë të gjithë gjërat bashkë.

Zabaleta: Dëgjo, për ne argjentinasit, kjo është diçka që e diskutojmë gjithnjë, kush është më i mirë Messi apo Maradona, por mendoj se një gjë për të cilën si Argjentinë duhet të jemi krenarë është që kemi dy nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë, keni një debat luksi se kush është më i mirë, ky apo ai, por që të dy janë argjentinas.

Zabaleta: Po të pyesësh tim atë, Maradona ishte kult, ashtu si Messi është për brezin tonë, por është e jashtëzakonshme që një vend është në gjendje të nxjerrë dy lojtarë të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Po. Pyetja e fundit, para se të kalojmë në dy-tri pyetje të tjera para se ta mbyllim, sërish për Shqipërinë, po jo për Shqipërinë si kombëtare, por si vend. Më kujtohet që Platini më pati thënë se ai nuk i mbijetonte dot stresit të trajnerit, sepse thoshte “isha kaq i mësuar të isha në fushë, t’i bëja gjërat si doja vetë, saqë kur shihja ndonjë që nuk e bënte, nuk e përballoja dot stresin, se nuk hyja dot në fushë të merrja topin. Pra, nga ky këndvështrim, për ju që keni qenë lojtarë të mëdhenj, që i njihni shumë mirë lëvizjet, si qarkullon topi, si e përjetoni, kur i kërkoni dikujt të bëjë atë që ju dinit ose dini të bëni dhe tjetri nuk e bën. Është pengesë apo është edhe motivim, për t’i mësuar të tjerët ta bëjnë.

Silvinjo: Mendoj që është pjesa më e vështirë. Nuk është e lehtë ta menaxhosh, sepse sigurisht kemi një përvojë të jashtëzakonshme, por mesazhi nuk arrin te lojtari si të ishte me USB, që ti shkon atje, e  shkarkon dhe ai, nga ana tjetër, për një orë i di të gjitha. Jo. Është një proces i ngadaltë. Duhet ta bësh dhe të ruash qetësinë jashtë fushës, sepse ndonjëherë ke dëshirën të hysh në fushë, të thuash “sa do doja të isha aty në këtë ndeshje”. Mendoj se ta përballosh këtë jashtë fushe, është shumë e vështirë për një trajner, sepse praktikisht, brenda vlon, por duhet të ruash gjakftohtësinë, të rrish i qetë dhe të flasësh me skuadrën midis pjesëve të ndeshjes, të kujdesesh për gjithçka, të mbash qetësinë, është e vështirë.

Nuk është se lojtari që ka ecur shumë mirë në jetë, sepse ka qenë shumë i fortë teknikisht, ia del të bëhet trajner i madh. Është shumë e vështirë. Është një barrierë mjaft e vështirë, nuk është e lehtë. Dori e di. Është ai që rri gjithnjë në krah e më thotë “me qetësi Silvio”. Zakonisht, ndodh që vijmë nga pjesa e parë dhe kemi dy-tri minuta vetëm ne. Gjithçka ndodh shumë shpejt. Ata më vijnë me të gjitha mesazhet, unë me diçka të vogël, por, pastaj, me futbollistët kemi tri-katër minuta, ndaj nuk mund të gaboj, ne nuk mund të gabojmë. Duhet të kontrollojmë fjalët, gjendjen shpirtërore, gjithçka. Ndaj duhet të përgatitesh, të përmirësohesh, nuk është e lehtë. Ndoshta për këtë, për Platininë është akoma më keq, sepse, teknikisht, ai ka qenë i jashtëzakonshëm. Nëse dikush në fushë nuk bën atë që duhet, ai e sheh, kthehet në problem.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, mjaft me futbollin. Kam vetëm dy pyetje të shkurtra sa i takon qëndrimit në Shqipëri dhe lidhjes suaj me vendin, përveç faktit që një pjesë e madhe e ditës kalon në federatë, në zyrë, duke analizuar video ose duke folur me lojtarët, e të tjera. Si ndiheni në Shqipëri?

Silvinjo: Ndihem mirë, ndihem mire

Kryeministri Edi Rama: Si në Brazil apo si në Argjentinë?

Silvinjo: Si në Brazil. E kam mësuar si jeni ju me miqtë. Nëse je i huaj, je mik, pastaj duhet të hash, të hash mirë dhe unë duhet të bëj gjithçka për ty. Është e jashtëzakonshme. Dukej diçka që mendoje “ndoshta nuk është kështu”, por kështu është. Hahet shumë mirë. Tirana është qytet shumë i bukur. Ne ndihemi shumë mirë këtu. Peshku është i mrekullueshëm, shumë i freskët, por gjëja më e bukur për mua, që u afrohet pak brazilianëve, që u afrohet pak – ne jemi vend i madh, veri, jug – që bëhemi miq shpejt. Ka një empati, një kimi. Të thotë “eja në shtëpi të hash”. Është diçka që u afrohet pak brazilianëve. Pastaj, këtu, e kam parë, e kam jetuar dhe është e vërtetë.

Kryeministri Edi Rama: Për ty?

Zabaleta: E njëjta gjë. Që nga dita e parë që kemi ardhur në Shqipëri, jemi ndjerë si në shtëpi. Ky është një vend shumë i bukur, me njerëz të bukur, shumë miqësorë, siç e tha edhe Silvio, është diçka që kudo ku shkojmë ndiejmë dashuri nga të gjithë, respekt për njëri-tjetrin. Shpeshherë, pas pune…

Silvinjo: Këtë po mendoja.

Zabaleta: … na pëlqen të ecim te Parku

Silvinjo: … nga federata për në hotel.

Zabaleta: Nga federata në hotel. Është 15-20 minuta ecje dhe njerëzit të ndalojnë, “Si jeni z.Silvinjo, një foto”. Kaq mjafton. Një respekt i jashtëzakonshëm. Miku në këtë vend vërtet mbahet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe jemi shumë të kënaqur për këtë, vërtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA