Fitoi famë botërore me stilin unik / Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Fernando Botero

15/09/2023 18:31

Artisti kolumbian Fernando Botero, i cili fitoi famë botërore me skulpturat dhe pikturat e tij ndërroi jetë sot në moshën 91-vjeçare.

Presidenti Gustavo Petro e quajti atë “piktori i traditave dhe defekteve tona, piktori i virtyteve tona”.

Artisti, i cili jetonte në Monako, vuante nga pneumonia, tha vajza e tij Lina të premten.

Mediat lokale e përshëndetën Boteron si artistin më të madh kolumbian të të gjitha kohërave, ndërsa vendlindja e tij, Medellin ka shpallur një javë zie.

Djali i një shitësi shëtitës, Botero lindi në vitin 1932. Në të 20-at ai udhëtoi në Evropë, ku zbuloi artin klasik përpara se të transferohej në SHBA.

Ai tha se në fund të viteve 1950 ai zbuloi “një dimension të ri që ishte më voluminoz, më monumental, më ekstravagant, më ekstrem”.

“Nëse pikturoj një grua, një burrë, një qen apo një kalë, gjithmonë e kam këtë ide të volumit”, tha ai për gazetën spanjolle El Mundo në vitin 2014.

“Unë nuk pikturoj gra të trasha“, vazhdoi ai. “Ajo që unë pikturoj janë vëllime.”

Disa nga veprat e tij më të zymta tregojnë luftëtarët guerilë kolumbianë dhe tërmetet. Në vitet 2000 ai pikturoi skena që përshkruanin torturat në burgun e Abu Ghraib të drejtuar nga SHBA-ja në Irak.

Çdo pikturë apo skulpturë nga Botero shitet mbi 2 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandit Sotheby.

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA