Burimet të Bashkimit Europian i hodhën poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke theksuar se në fakt, ka pasur dhe një plan të bllokut për palët.
Teksa rikujtuan deklaratat e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, se Brukseli e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet nënvizuan se që në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të ka pasur deri tani shtatë raunde takimesh të ndara me palët.
Për këtë arsye, thonë nga Brukseli, pretendimi i Kurti se propozimi i tij ka qenë i vetmi në tavolinë, është “thjesht i pasaktë”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sakaq, duke komentuar takimin e një dite më parë u ankua se BE-ja ka qasje të pa balancuar. Ai e kritikoi bllokun duke thënë se kërkesat e tij ndaj Kosovës korrespondojnë me ato të Beogradit.
“Jo të gjitha marrëveshjet mund të pranohen. Qasja e BE-së është e pa balancuar sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që po na i kërkon neve Serbia, siç është dorëheqja pa kurrfarë procedure të kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik dhe i ligjshmërisë të institucioneve tona. Të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht BE-ja po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë’’, tha Konjufca duke shtuar se nuk e pranojnë themelimin e një asociacionin që është kundër kushtetues dhe as bosnjëzimin e Kosovës.
Top Channel