Që nga mëngjesi i sotëm po kryehen bastisje në banesën e ish-luftëtarit të UÇK-së Behar Berisha, i cili ishte bashkëpunëtor i Sali Mustafës Calit i dënuar nga Gjykata Speciale për krime lufte.
Pas këtij njoftimi, OVL UÇK ka paralajmëruar protestë kundër bastisjeve të fundit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Të nderuar! Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.
Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin.
Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, shkruan Faton Klinaku, UD i kryetarit të OVL UÇK-së.
Prezente në bastisje ishte edhe Policia e Kosovës.
EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.
Top Channel