Ditën e nesërme do të mbahet takimi i rëndësishëm në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili sipas ekspertëve politikë konsiderohet si një mundësi e mirë për të zhbllokuar procesin e dialogut.
Sipas tyre, të dy palët, por kryesisht Serbia duhet të premtojë të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, deklaroi për KosovaPress se vendi i tij dhe Serbia duhet të bëjnë hapin e madh për të ecur përpara në dialog.
“Dialogu është bllokuar dhe situata në veri i ka ndihmuar shumë këtij bllokimi. Tashmë takimi i 14 shtatorit shihet si një mundësi e mrekullueshme për të zhbllokuar këtë gjendje dhe për të shkuar përpara”, tha ai.
Më skeptik për takimin e nesërm është analisti tjetër Seb Bytyçi, i cili deklaroi se nuk pret që të ketë progres të madh duke parë qëndrimet e deritanishme të dy palëve.
“Sa i përket takimit nuk pres që të ketë ndonjë përparim të madh, por pres që të diskutohen çështjet madhore sikurse edhe ato konkrete që kanë të bëjnë me veriun. Mund të presin një ri-përkushtim për mbajtjen e zgjedhjeve por nuk besoj se mund të pritet një pajtim për çështje madhore”, deklaroi ai.
Në axhendën e publikuar nga Bashkimi Evropian palët do të kenë takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe të dërguarin për dialog, Miroslav Lajçak dhe pastaj do të jetë takimi trepalësh.
Top Channel