FFK tha se ka kërkuar nga UEFA që të evidentojë të gjitha shkeljet e bëra gjatë kësaj ndeshjeje, duke shtuar se i është drejtuar edhe komisionit disiplinor të UEFA-s “me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.
Më 13 shtator, në ueb-faqen e UEFA-s u tha se ndeshja Rumani-Kosovë u ndërpre për plot 50 minuta për shkak të “sjelljeve diskriminuese”.
Ndeshja më pas rifilloi me delegatin e UEFA-s që ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese. Ndeshja e së martës, që përfundoi 2:0 në favor të Rumanisë, ishte e vlefshme për Euro 2024.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.
Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht./Rel