Prodhimi i kulturave bujqësore me farat autoktone në Shqipëri sfidohet çdo ditë nga varietetet e rinj të cilët fermerëve u japin më tepër rendiment e për rrjedhojë më shumë fitime.
Edhe pse në tregje dominojnë më shumë varietetet e reja të frutave dhe perimeve, shpesh konsumatorët ankohen për cilësinë dhe shijen e tyre duke e krahasuar me produktet e dikurshme. Por ndërsa fermerët po orientohen gjithnjë e më tepër drejt agrikulturës moderne, diversiteti gjenetik i prodhimit vendas është nën presion.
Gjatë ekspeditave të tij në zonat më të thella të juglindjes, eksperti i bujqësisë Robert Damo ka arritur të identifikojë mbi 100 fara autoktone në qarkun e Korçës, të cilat i janë shtuar fondit të bankës gjenetike. Për të arritur deri në identifikimin e një fare të tillë atij i duhet të realizojë një sërë procesesh ndërsa thotë se ruajtja e tyre është një domosdoshmëri.
Aktualisht banka gjenetike e Shqipërisë ka rreth 4700 resurse gjenetike autoktone të mbledhura në të gjithë territorin e vendit por kryesisht ato janë gjetur në zonat e thella ku fermerët kanë ruajtur varietetet tradicionale të cilat janë përshtatur me klimën dhe kanë më shumë rezistencë ndaj infeksioneve.
Top Channel