Plani i menaxhimit të parkut kombëtar të Vjosës ka hyrë tashmë në fazën e dytë të konsultimeve publike me banorë dhe grupe interesi të 13 bashkive të luginës që laget nga Vjosa dhe degët e saj tashmë të mbrojtura.

Ekspertët janë duke ndarë me publikun mundësitë dhe kufizimet që dikton statusi më i lartë i mbrojtjes dhe prej konsultimeve po evidentojnë një seri aktivitetesh ekonomike aktuale dhe potenciale në turizëm, bujqësi apo blegtori për të cilat duhen gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe në harmoni me statusin e parkut të vetëm lumor në Europë.

Plani i menaxhimit që po krijohet në funksion të zhvillimit synon lehtësi për aktivitetet në natyrë, rekreacionin dhe turizmin e qëndrueshëm por edhe një proces të gjatë informimi dhe edukimi të publikut.

“Tashmë që statusi i parkut është përcaktuar që prej marsit është shumë e rëndësishme për njerëzit që jetojnë në këtë territor të kuptojnë se cilat janë kufizimet dhe çfarë lloj aktivitetesh janë të lejuara dhe çfarë nuk lejohet. E vërteta e situatës është se ky territor tashmë ka ndryshuar për shkak të statusit. Ky lumë është shpëtuar dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për konservimin prandaj po hartohet një plan i detajuar menaxhimi për të për 10 vitet në vijim. Sigurisht që ka një standard ndërkombëtar sesi të mbrohet një lumë i egër dhe ne do të ndjekim këtë standard. Informimi dhe edukimi i publikut mbi parkun do të jetë një proces i gjatë dhe gjithëpërfshirës. Për momentin shumica e banorëve e dijnë që kemi një park kombëtar por shumë pak prej tyre e kuptojnë çdo të thotë kjo në nivel personal”, thotë Simon Battisti, pjesë e grupit të ekspertëve.

Niveli i ndotjes për Vjosën dhe degët e saj është një tjetër çështje që plani i menaxhimit do të duhet të adresojë krahas kthimit të parkut në një hapësirë që gjeneron të ardhura për banorët e pranë lumit në të 13 bashkitë që lag Vjosa. Thomas Armitt nga grupi i ekspertëve të turizmit për planin mendon se vizioni për parkun duhet të synojë kthimin e tij në një destinacion botëror për klientë të klasit të lartë që garantojnë të ardhura të larta dhe efekte minimale në natyrë.

“Një në 10 punë në nivel ndërkombëtar është e lidhur me turizmin dhe nuk mund të jetë ndryshe për luginën e Vjosës. Komuniteti duhet të jetë në zemër të zhvillimit të turizmit. Ka kaq shumë mundësi në luginën e Vjosës për të zhvilluar produkte dhe turizëm lokal autentik, i aftë për të tërhequr turistët e duhur, të përgjegjshëm, ata që do të shpenzojnë më shumë para dhe kohë, ata që do të jenë të interesuar të mësojnë rreth kulturës dhe trashëgimisë këtu. Ky lloj turizmi duhet të çojë të ardhura të mjaftueshme për komunitetin dhe ti bëjë banorët të jetojnë këtu dhe të jenë krenarë. Është një proces që do të marrë kohë por ne besojmë që për 5-vjeçarin e parë ta kthejmë Vjosën në një destinacion të qëndrueshëm e më vonë në ndoshta 10, 15 apo 20 vitet e ardhshëm në një destinacion të klasit botëror”, shprehet Thomas Armitt.

Në habitatin e Vjosës shkencëtarët kanë identifikuar rreth 1100 specie shpendësh dhe kafshësh të rrallë përfshi këtu edhe 13 specie kafshësh e 2 bimësh të kërcënuara globalisht. Shpallja e Vjosës park kombëtar në mars të këtij viti ka qenë një nga fitoret më të mëdha të shoqërisë civile në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA