“Punë Pa Teka” i vesh gazetares Kristi Gongo nga një kostum të ri pune, çdo të shtunë në Top Channel.
E ftuar sot në “Ftesë në 5”, autorja dhe moderatorja zbulon se çfarë do të shohim në episodin e parë të “Punë pa teka”. Xhirimet janë të gjitha në një minierë, thotë Gongo, pa zbuluar më shumë detaje.
Në sezonin e parë të programit më të ri në ekranin e të gjithë shqiptarëve, do të ndjekim 10 profesione, të rrëfyera me sfidat dhe vështirësitë e tyre.
“Fokusi është te ato zanate të vështira që mund të nënvlerësohen nga një pjesë e madhe e njerëzve, por janë profesione që mbajnë në këmbë shoqërinë. Është për të treguar një puna në një ditë të plotë, nga mëngjesi deri në darkë. Është për të treguar si është një punë pa teka”, tregon gazetarja, që zbulon se ideja për këtë projekt i ka lindur prej kohësh.
“Mendoj se ky projekt më qëndron më së miri. Ka qenë aty ideja prej kohësh, që në fillimet e mia”.
Top Channel