Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, takohet sot në Bruksel me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Çështja e sigurisë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe pritet të jetë në fokus të takimit. Po ashtu Stoltenberg pritet të flasë me Osmanin edhe për angazhimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Në selinë e NATO, presidentja e Kosovës pritet të zhvillojë dhe takime të tjera me përfaqësues të shteteve të aleancës ushtarake perëndimore. Prej nisjes së tensioneve në veri në muajin maj, NATO i ka bërë shpesh thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen dhe të bëjnë hapa përpara për normalizimin e situatës.
Aleanca po ashtu ka theksuar se do të vijojë të mbetet e përkushtuar përmes KFOR-it që të sigurojë qetësi dhe siguri në të gjithë Kosovën. Pas rritjes së tensioneve, KFOR shtoi numrin e ushtarëve. Ndërkohë nga ana tjetër, Prishtina vijon të shpreh ambiciet e saj për t’u bërë aleate e NATO edhe pse katër nga 31 anëtarët e Aleancës nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Top Channel