Joe Biden vizitë në Florida, premton mbështetje: Nuk do të shkojmë askund!

03/09/2023 09:20

President Joe Biden gjatë vizitës së tij në Florida, ku vëzhgoi nga afër situatën e dëmeve të shkaktuara nga uragani “Idalia”, premtoi se do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për rimëkëmbje sa më shpejt.

“Që nga momenti kur goditi stuhia, ekipet federale të kërkim-shpëtimit ndihmuan njerëzit, shtëpitë e të cilëve ishin të rrethuar nga uji. Ne nuk do të shkojmë askund, ne jemi këtu për të ndihmuar shtetin për aq kohë sa duhet”, tha Biden.

Biden shtoi se ndryshimet klimatike janë faktori kryesor për motet ekstreme, ndërsa pasojat e stuhisë më të rëndë në 100 vitet e fundit mbeten të rënda.

Guvernatori i Floridës njëkohësisht edhe rivali Biden, Ron DeSantis vendosi të mos takohej me presidentin e SHBA-së, ndërsa ky i fundit u shpreh se nuk është i zhgënjyer.

“Nuk jam i zhgënjyer, ai mund të ketë pasur arsye të tjera, por ai na ndihmoi ta planifikonim rrugëtimin tonë në Florida”, u shpreh ai.

DeSantis, i cili synon ta fitojë nominimin e republikanëve në garën për president të SHBA-së, ka thënë paraprakisht se prezenca e Bidenit në Florida do t’i pengonte përpjekjet për përgjigje ndaj katastrofës.

Top Channel