Trajneri Sylvinho ka prezantuar listën e lojtarëve që ka ftuar për ndeshjet e muajit shtator ndaj Çekisë në datën 7 dhe ndaj Polonisë në datën 10, në “Air Albania”.
Trajneri brazilian ka ftuar për të parën herë Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën. Të dy lojtarët, që janë aktivizuar me moshat e Kosovës do të veshin për herë të parë fanellën kuqezi. Lojtarët janë paisur me pasaportën shqiptare, ndërkohë që kanë marrë dhe lejen e FIFA-s për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.
Odise Roshi dhe Arlind Ajeti janë rikthyer në ekipin kombëtar, pasi paraqitjet me klubet respektive kanë qenë e kënaqshme, çka ka bërë që të jenë sërish pjesë e përfaqësueses. Po ashtu, pas mungesës në grumbullimin e fundit, pjesë e skuadrës do të jetë dhe Ivan Balliu, i cili nuk u angazhua ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe për shkak dëmtimi.
Krahasuar me listën e muajit qershor, mungojnë Amir Abrashi, Adrian Bajrami, Andi Hadroj, Anis Mehmeti dhe Armando Sadiku.
Etrit Berisha, Tomas Strakosha dhe Elhan Kastratin do të jenë tre portierët e ekipit. Në listën e mbrojtësve, krahas Ajetit dhe Balliut të rikthyer, do të jenë dhe Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Enea Mihaj, dhe Frederik Veseli.
Në mesfushë në grumbullim do të jenë, veç Roshit, edhe Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Kristjan Asllani, Keidi Bare, Qazim Laçi dhe Klaus Gjasula. Në repartin e avancuar, pjesë e ekipit, veç Mujës dhe Dakut, që bashkohen për herë të parë me ekipin, janë edhe të zakonshmit, Sokol Cikalleshi, Jasir Asani, Myrto Uzuni Ernest Muçi dhe Taulant Seferi./SuperSport
Top Channel