OBSH po rishikon rregullat për mjekësinë tradicionale, të përdorur nga 80 përqind e popullsisë së botës.
Edhe medikamentet si aspirina bazohen tek produktet natyrore. Standardet e OBSH-së duhet të shërbejnë si bazë për politikën në vendimmarrje. Prej mijëra vjetësh mjekësia tradicionale ka qenë pjesë përbërëse e sistemit të kujdesit shëndetësor në mbarë botën.
Sa të ndryshme janë sëmundjet e lëngatat, aq të ndryshme janë edhe metodat e shërimit të mjekësisë tradicionale, me përzierje erëzash, akupunkturë, masazhe dhe shumë të tjera. Për herë të parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i kushtoi tani mjekësisë tradicionale një takim botëror, të organizuar së bashku me qeverinë indiane, e cila kryeson këtë vit grupin e G-20.
Takimi u zhvillua në kuadër të konferencës së ministrave të shëndetësisë së G-20, në Gujarat. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 40 përqind e të gjitha medikamenteve që kanë marrë lejen e prodhimit, bazohen tek produktet natyrore. Zbulimi i aspirinës për shembull është bazuar tek recetat e përdorimit të lëvores së pemës së shelgut. Kërkimet e bëra për Artemisinin, që përdoret kundër malarjes, për të cilat u dha Çmimi Nobel në vitin 2015, filluan me studimin e teksteve të vjetra të mjekësisë kineze.
Por për shumë nga metodat e përdorura mungon dëshmia për efektin që ato kanë. Për këtë arsye, skepticizmi me të cilën mjekët dhe studiuesit e arsimuar në perëndim shohin praktikat e mjekësisë tradicionale kineze, është i konsiderueshëm. Aktualisht, Mjekësia Tradicionale përdoret nga 170 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët kanë kërkuar dëshmi dhe të dhëna që mund të shërbejnë si bazë për të marrë vendime politike për masat, normat dhe rregullat që sigurojnë përdorimin e sigurt, të duhur dhe të pakushtueshëm të Mjekësisë Tradicionale.
Prandaj takimi i parë botëror nuk bëri bashkë vetëm aktorët e ndryshëm të sektorit të Mjekësisë Tradicionale, por kërkoi edhe vendosjen e standardeve për praktikat dhe produktet e mjekësisë tradicionale, si dhe krijimin e një baze të besueshme dëshmish për politikën.
Top Channel